India e ka kaluar shifrën e 300 mijë të vdekurve nga COVID-19, ndërsa vala e re e pandemisë po vazhdon ta rrënojë shtetin aziatik, raporton BBC.
Ekspertët paralajmërojnë se numri i vërtetë i të vdekurve mund të jetë dukshëm më i lartë, pasi shumë vdekje nuk janë regjistruar zyrtarisht.
India ka regjistruar mbi 26 milionë raste pozitive me koronavirus – që është e dyta vetëm pas SHBA-së – dhe tash është epiqendra e pandemisë globale.
India është e treta sa i përket vdekjeve nga COVID-19, me mbi 300 mijë të vdekur. Është prapa vetëm SHBA-së e Brazilit. Shifra e të vdekurve në Indi qëndron në mbi 304 mijë.
India në 24 orët e fundit ka regjistruar mbi 4000 të vdekur nga COVID-19 dhe mbi 222 mijë raste pozitive.
India ka regjistruar 100 mijë të vdekur në më pak se një muaj.
Vala e dytë e pandemisë ka stërngarkuar sistemin shëndetësorë në Indi, ku spitalet po e kanë të vështirë të përballojnë influksin e pacientëve dhe po ka mungesë të ilaçeve e oksigjenit.
Po ashtu gjatë ditëve të fundit ka filluar rritja e rasteve të infeksionit të njohur si mukormikozë, një infeksion që ka shkallë të vdekshmërisë afro 50 për qind. Ky infeksion po lidhet me trajtimin për COVID dhe po paraqitet te pacientët 12 deri 18 ditë pasi po e kalojnë COVID-19.