Kolegji Zgjedhor Gjyqësor rrëzon kërkesat e PD dhe të LSI, për shpalljen të pavlefshme dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Vlorës. Me vendimin e marrë pak minuta më parë, Kolegji ka vendosur se nuk do të ketë zgjedhje të reja në këtë qark.
Ndërkohë, përfaqësuesi i PD Ivi Kaso ka thënë se vendimmarrja ishte e paracaktuar për dy arsye: sepse nuk u morën parasysh provat e reja dhe së dyti nga vendimi i djeshëm; ku Kolegji vendosi që zgjedhjet në Qarkun e Gjirokastrës të mos përsëriteshin.
“Një vendimmarrje që u paracaktua dhe me vendimin e djeshëm. Por dhe nga vendimmarrja për mospranimin e provave. Për të hedhur dritë mbi çdo parregullësi, gjatë 25 prillit dhe para tij. Kjo nuk na dekurajon për të vazhduar dhe për të publikuar fakte e prova që kanë deformuar vullnetin e zgjedhësve”, tha ndër të tjera Ivi Kaso.
I pyetur nga gazetarët nëse do të vazhdojnë me përballjet e tjera në një kohë që dy të parat i humbën, Kaso u shpreh:
Detyrimin për transparencë e kemi jo vetëm për ata që na besuan në 25 prill, por dhe për gjithë shqiptarët sepse procesi zgjedhor duhet të çlirohet…. Detyrimi ynë për transparencë vazhdon të jetë i pandryshuar. Ne do t’i shkojmë deri në fund kërkesës sonë.