Nigeria tha të premten se i ka pezulluar për kohë të pacaktuar aktivitetet e rrjetit të njohur social, Twitter, vetëm dy ditë pasi kjo faqe i fshiu një postim presidentit Muhammadu Buhari.
Ministri i Informacionit, Lai Mohammed, tha se qeveria e ka marrë këtë vendim për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të platformës për aktivitete që kanë mundësi që ta minojnë bashkekzistencën në Nigeri.
Në orët e para të së shtunës, uebfaqja e Twitter-it ishte e paqasshme në Nigeri në disa platforma, por aplikacioni punonte në disa platforma të tjera, sipas testimeve të agjencisë Reuters, transmeton Gazeta Express.
Kompania amerikane tha përmes një deklarate se është duke e hetuar pezullimin e operacioneve të saj nga qeveria nigeriane dhe se do të ofrojë informata shtesë kur të merret vesh më shumë për këtë çështje.
Të mërkurën, Twitter-i tha se postimi i presidentit Buhari, me të cilin kërcënoheshin grupet e fajësuara për sulmet ndaj ndërtesave qeveritare, e ka shkelur politikën e faqes rreth sjelleve abuzuese.