Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE) të shfuqizojë të drejtën e vetos që mbajnë anëtarët e Bashkimit.
E gjithë kjo në mënyrë që BE-ja të mos jetë një “peng” në veprimet e saj, raporton reuters.
“Ne nuk mund të jemi më peng i atyre që vënë veton në politikën e jashtme evropiane. Ata që e bëjnë këtë po luajnë, pak a shumë në planin afatgjatë, me kohezionin e Evropës”, tha Maas në një konferencë shtypi në Berlin.
Rregullat e BE-së përcaktojnë që vendime të caktuara, veçanërisht në lidhje me taksat ose politikën e jashtme, kërkojnë një vendim unanim nga vendet anëtare dhe ata kanë mundësinë të përdorin veton për ta bllokuar ose shtyrë atë. Mass mbrojti që parimi i votimit të shumicës të rikthehet në vend të vetos.
Hungaria ka përdorur rregullisht fuqinë e vetos në muajt e fundit për të bllokuar deklaratat kritike të BE-së në lidhje me Kinën.
Kohët e fundit, hungarezët refuzuan të mbështesin një deklaratë që bën thirrje për një armëpushim në konfliktin izraelito-palestinez. Polonia vuri veton gjithashtu mbi disa vendime dhe pozicione evropiane.