Nga Mauro Indelicato
Pandemia e ka monopolizuar vëmendjen e mediave prej disa muajsh, duke e bërë dytësore çdo çështje tjetër. Për shembull, në Evropë nuk është folur më për terrorizmin. E megjithatë, pak para fillimit të kësaj emergjence shëndetësore, frika nga sulmet e reja dhe kujtimet e netëve të tmerrshme të Bataklanit dhe ngjarjeve të tjera tragjike, ishin elementë të pranishëm në debatin politik.
Nga njëra anë, fakti që po flitej gjithnjë e më pak mbi dukurinë e xhihadistëve islamikë ishte pozitiv, duke treguar një rënie të presionit terrorist mbi kontinentin e vjetër. Por nga ana tjetër, një “shpërqendrim” nga çështjet e sigurisë, mund t’u japë mundësi grupeve ekstremiste që të gjejnë hapësirë për ndërmarrjen e sulmeve të reja. Nga ana e forcave kryesore të sigurisë, vëmendja nuk është zbehur kurrë. Në fakt, monitorimi i forcave radikale ekstremiste ka vazhduar, dhe sot ka çuar në alarme të reja.
Trajektorja e xhihadit gjatë pandemisë
Menjëherë pas sulmeve të 7 korrikut 2005 në Londër, i pari në Evropë i kryer nga Al Kaeda me përdorimin e kamikazëve, shërbimi sekret britanik ishte shumë e qartë:terroristët synojnë të përfitojnë nga një ekspozim i madh mediatik.
Kur në marsin e vitit 2020, fillimisht në Itali dhe më pas në pjesën tjetër të kontinentit, vëmendja e popullatës u fokusua vetëm tek pandemia, organizatat xhihadiste hynë në një fazë pasiviteti të dukshëm. Kjo dëshmohet edhe nga numri i sulmeve të kryera gjatë vitit të shkuar. Viti i kaluar nisi me dy sulme, i pari më3 janar në Paris, dhe i dyti më 2 shkurt në Londër. Në të dyja rastet bëhej fjalë për sulme të kryera nga 2 persona të radikalizuar, të lidhur ndoshta me ISIS-in.
Pastaj nga marsi dhe deri në maj 2020, pra periudha kur Evropa përjetoi valën e parë pandemike, nuk u regjistrua asnjë episod terrorist islamik. Kur u referohemi forcave xhihadiste, vëmendja kryesore është tek Al Kaeda dhe ISIS:të dyja grupimet kryesore terroriste janë aktive në qarqet radikale evropiane dhe të afta për të kryer sulme të reja.
Një anëtar i ISIS me origjinë libiane, u hodh në veprim më 20 qershor 2020 në qytetin anglez Riding, duke sulmuar disa kalimtarë me thikë. Tre viktimat e asaj dite tragjike ishin të parët që u vranë nga terrorizmi në Evropë, pasi mbaruan bllokimet e para.
Dhe nuk ishte një rastësi:në fakt, në atë moment, kur po binte numri i infeksioneve të reja, xhihadistët e dinin se mund të rifitonin vëmendje në skenën mediatike. Në vjeshtën e vitit të shkuar, terrorizmi goditi sërish rëndë. Në fillim në Francë, ku në qytetin e Nisës një tunizian që kishte zbarkuar disa javë më parë në Lampeduza vrau 3 besimtarë brenda Katedrales më 29 tetor, më pas në Austri.
Tek kjo e fundit në mbrëmjen e 2 nëntorit, një komando terrorizoi njerëzit në zona të ndryshme të Vjenës, duke vrarë gjithsej 4 persona. Pikërisht në nëntor, kontinenti i vjetër hyri në fazën më akute të valës së dytë të infeksioneve, dhe nga ai moment e tutje nuk u regjistruan më sulme të reja. Një tjetër shenjë se pa mundësinë për të qenë në faqet e para të mediave, milicët islamikë i frenojnë aktet e tyre kriminale.
Paralajmërime për të ardhmen
Terrorizmi u shfaq si një dukuri më e zbehtë në Evropë, por tragjikisht shumë aktiv në zonat më të nxehta. Nga Lindja e Mesme, ku pati një rikthim të sulmeve xhihadiste në zemër të Bagdadit në muajin mars, deri në Afrikën sub-Sahariane, ISIS dhe Al Kaeda kanë treguar se nuk flenë gjumë.
Tani ekziston frika se terrorizmi mund të kthehet sërish në Perëndim. Kriza e Covid-19 ka dalë paksa nga vëmendje e medias për shkak të një uljeje të re të rasteve të reja dhe përparimit të fushatës së vaksinimit. Alarmi është i dyfishtë:ekziston jo vetëm mundësia e organizmit të sulmeve të reja, por edhe frika e destabilizimit të mëtejshëm të vendeve më të rrezikuara që po përballen me emergjencën e koronavirusit.
Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Itali, që u mblodh së fundmi më 14 maj, ishte shumë i qartë:“Pandemia po e përkeqëson situatën socio-ekonomike të rajoneve më të brishta”-thuhej në një deklaratë të lëshuar pas takimit në të cilin mori pjesë edhe kreu i qeverisë Mario Dragi. “Dhe kjo ka pasoja humanitare por edhe për sigurinë e popullatave”- theksohej në të.
“Në këtë kontekst, terrorizmi ndërkombëtar mund të gjejë hapësira të reja për manovrim, dhe mbetet një kërcënim shqetësues, të cilit duhet t’i kundërvihemi përmes veprime të vendosura të një natyre shumëpalëshe dhe në kontekstin e nismave të komunitetit ndërkombëtar”- përfundonte deklarata.
Një alarm që nuk vlen vetëm për Italinë, por edhe për vendet e tjera të Evropës. Konteksti i përgjithshëm, i karakterizuar nga reagimi i fazës aktuale të epidemisë, kërkon një vëmendje të madhe për të parandaluar rreziqet e mundshme në frontin e sigurisë. /
“Il Giornale” – Bota.al