Suedia po mendon t’i qaset një loje sulmuese kundër Sllovakisë në Kampionatin Evropian. Suedia e Sllovakia takohen të premten nga ora 15:00 në St. Petersburg, në kuadër të raundit të dytë të fazës grupore.
Të luajë në sulm nuk pritet të jetë e vështirë për Suedinë.
Kundër Spanjës, në ndeshjen e parë të Grupit E, suedezët patën 15% të posedimit të topit – shifra më e ulët në historinë e garës. Sa u takon pasimeve, suedezët kishin 161 në krahasim me Spanjën që pati 917.
Selektori i Suedisë, Janne Anderson, thotë se plani i lojës me mbrojtje të thellë dhe kompakte, si dhe me rrezikime të herëpashershme, ka funksionuar. Mbi të gjitha, rezultati ishte 0:0. Është rezultat shumë i pëlqyer kundër një ekipi që vlerësohet si më i miri në grup. Suedia, megjithatë, i pati dy mundësitë më të mira të ndeshjes, me sulmuesit Alexander Isak dhe Marcus Berg.
“Nëse ka diçka që mund të llogaritemi si më të mirët në botë, është se e pranojmë ndeshjen sakrifikuese”, ka thënë mesfushori i Suedisë, Albin Ekdal.
Kjo nuk do të pranohet të premten kur Suedia do të luajë kundër Sllovakisë që mban pak topin e që ka diçka të ngjashme me Suedinë në aspektin defensiv dhe sa i takon qasjes në lojë.
“Sllovakia luan ndryshe nga Spanja”, ka thënë Kristoffer Olsson, partneri i Ekdalit në qendrën e mesfushës, “dhe kjo do të thotë se kemi plan tjetër të lojës”.
Në fakt, mund të jetë Sllovakia ajo që mund të jetë më e lumtur në këtë ndeshje e cila është e katërta në “Euro 2020”, e që do të luhet në stadiumin St. Petersburg.
Përgatitjet e Sllovakisë u penguan nga rastet pozitive me koronavirus. Lojtari Denis Vavro dhe një trajner janë izoluar pas rezultatit të testit të marrë të mërkurën.
Ekipi sllovak është duke bashkëpunuar me autoritetet publike shëndetësore të Rusisë në lidhje me gjurmimet e kontakteve. Asnjë lojtar tjetër nuk është karantinuar.
Sllovakët e hapën Evropianin me fitore të papritur 2:1 kundër Polonisë – Vavro nuk luajti ndonëse ishte në bankën rezervë – ndërsa tani ndoshta u duhet vetëm një pikë nga dy ndeshjet e mbetura të grupit për të kaluar tutje. Kjo do ta vazhdonte rekordin e përkryer në arritjen e fazës së nokautit në secilën garë të madhe që mori pjesë Sllovakia, qëkur u pavarësua në vitin 1993.
Grupin sllovakët e kaluan në Kupën e Botës 2010 dhe në “Euro 2016”.
Për ta më lehtë është ta fitojnë një pikë kundër Suedisë sesa kundër Spanjës.
Marek Hamshik e ka pamjen më të mirë për ekipin e Suedisë se çdo lojtar tjetër në skuadrën sllovake.
Në mënyrë që ta fitojë vendin në “Euro 2020”, Hamshik – ylli i Sllovakisë që ishte pjesë e Napolit prej vitit 2007 deri në vitin 2019 – u largua nga klubi kinez Dalian dhe u rikthye në futbollin evropian në muajin mars, te skuadra suedeze IFK Gothenburg.
U bë menjëherë një prej lojtarëve më të mirë në ligën suedeze, një prej transferimeve më të mëdha në historinë e saj, edhe pse luajti vetëm gjashtë ndeshje dhe shënoi një gol.
“Kam kaluar tre muaj shumë të mirë në Suedi, ku e kam pasur shansin ta mësoj kulturën e suedezëve dhe e di se janë fizikisht shumë të fortë”, ka thënë Hamshik të enjten. “Do të na vështirësojnë punët në fushë të gjithëve”.
33-vjeçari Hamshik ditët më të mira në karrierë i pati më herët, por kundër Polonisë tregoi se është në nivel më të lartë se të tjerët.
Se a mund t’i luajë tri ndeshje në periudhën kohore prej 10 ditësh, është në pikëpyetje. Potencialisht ai mund të jetë në stol kundër Suedisë të premten, ose kundër Spanjës më 23 qershor.
Ai luajti në tërë ndeshjen kundër Polonisë, por pati shqetësime në pulpin e këmbës.
Selektori i Suedisë, Anderson, duhet të vendosë se a do ta thërrasë sërish Dejan Kulusevskin e Juventusit, i cili u kthye në stërvitje me skuadrën pasi kaloi kohë në izolim shkaku i infektimit me koronavirus, para nisjes së Kampionatit Evropian.