Qeveria britanike duhet të planifikojë për doza të reja të vaksinave për qytetarët gjatë muajve të vjeshtës, thotë sindikata e mjekëve dhe Shërbimi Nacional i Shëndetësisë në Britani. Vaksina përforcuese vlerësohet si sfidë më e madhe, raporton BBC.
Liderët shëndetësorë thonë se ka shumë pyetje që duhet përgjigjur, përfshirë se sa gjatë zgjatë imuniteti nga dy doza të vaksinës, dhe nëse fëmijët do të vaksinohen.
“Ne nuk duhet të vazhdojmë si tash, me një reagim emergjent”, thonë sindikatat.
Burime qeveritare thonë se planet do të publikohen së shpejti.
Por, vendimi final do të varet nga të dhënat e testimeve që po vazhdojnë.
Deri më tash, afro 60 për qind të të rriturve në Britani kanë marrë dy doza të vaksinave antiCOVID, që nënkupton se janë plotësisht të vaksinuar. Dhe më tepër se katër në pesë të rritur kanë marrë një dozë.
Njerëzit kanë nxituar për të marrë vaksinat në ditët e fundit, ku më tepër se një milion rezervime janë bërë të premten e të shtunën në Angli, pasi u hap vaksinimi për gjithë qytetarët mbi 18 vjet.
Ministrat vazhdimisht kanë thënë se vaksinimi është mënyrë për t’i dhënë fund izolimit. Anglia ka shtyrë hapjen deri më 19 korrik, kryesisht për të lejuar më tepër persona që të vaksinohen.