Qeverinë britanike e kanë akuzuar pasi kompania, që fshihet pas kontratës për pasaportat e vaksinimit, mund t’i rishpërndajë të dhënat e kartave të identitetit më pas në një program të identitetit kombëtar.
Muajin e kaluar Entrust, një firmë globale e IT-së, nënshkroi një kontratë me Departamentin e Shëndetit dhe Kujdesit Social (DHSC) në Mbretërinë e Bashkuar.
Kompania është e ngarkuar me ngritjen e sistemit të qeverisë britanike për certifikimin e vaksinave Covid.
Ajo ka ndihmuar, deri më tani, në hapjen e sistemeve të identitetit kombëtar në Shqipëri, Ganë dhe Malajzi, duke përdorur teknologjinë e saj digjitale.
Kompania, në përshkrimin e saj, konsiderohet si një “udhëheqëse globale në mbrojtjen e identiteteve, pagesave dhe të dhënave”.
Qeveria britanike pagoi 250 mijë paund për të siguruar software kompjuterike për skemën e certifikimit të statusit Covid, të drejtuar nga NHSX, njësia digjitale e shëndetit të qeverisë.
Reagimet
Në një postim, në faqen e internetit të kompanisë në muajin shkurt, para nënshkrimit të kontratës, sqarohej se pasaportat e vaksinave mund të përdoren për të “konsideruar një strategji kombëtare të ID-ve” dhe “të bëhen pjesë e infrastrukturës së një ‘normaleje’ të re”.
Jann Markey, drejtori i marketingut të produkteve të Entrust-it, deklaroi se “me infrastrukturën dhe investimin e nevojshëm për të siguruar një pasaportë të vlefshme vaksine, pse të mos rishpërndahet kjo përpjekje në një program kombëtar të ID-ve të qytetarëve”.
Sipas tij, kjo mund të përdoret për qëllime të shumta, duke përfshirë “ofrimin e sigurt të shërbimeve qeveritare, udhëtim të sigurt ndërkufitar dhe dokumentacionin e vaksinimit”.
Entrust-i, po ashtu, organizoi një webinar në muajin janar, në të cilën shpjegonte me detaje se si pasaportat e vaksinave do t’u mundësonin qeverive “të mblidhnin të dhëna të vlefshme” për qytetarët.
Menaxheri i produkteve, John Bejjani, u shpreh se më pas do të kuptohet pse pasaporta nuk është vetëm për udhëtime. Sipas tij, pasaporta mund të merret dhe të ripërdoret për gjëra të tilla, si: letërnjoftimet apo lejet kombëtare.
“Përdorimi i diçkaje si një letër kredenciale udhëtimi, u mundëson qeverive të mbledhin të dhëna të vlefshme”.
Kjo mund t’u sigurojë qeverive një mekanizëm të shpejtë dhe standard për sigurimin e qytetarëve të tyre.
Entrust
Firma me bazë në Minesota, SHBA, më parë ka fituar shtatë kontrata të tjera për të prodhuar teknologji për organe të ndryshme qeveritare.
Kontrata me DHSC-në, e cila pritet të skadojë në mars të 2022-shit, mund të zgjatet për një vit, që do të thotë se Entrust mund të punojë në çdo skemë pasaporte vaksine deri në 2023-shin.
Deputetët dhe grupet e lirive civile kanë kritikuar qeverinë për nënshkrimin e një kontrate me firmën. Ata pretendojnë se kjo shënon hapin e parë në rrugën drejt një programi kombëtar të ID-ve.
David Davis, ish-ministri i Kabinetit dhe anëtar i Grupit të Rimëkëmbjes Covid (CRG) të deputetëve “Tory”, e përshkroi kontratën si “të ligë” dhe kërkoi shpjegime të mëtejshme nga qeveria.
Ish-udhëheqësi i “Tory-ve”, Sir Iain Duncan Smith shtoi se kontrata “bie në kundërshtim me pozicionin e deklaruar të qeverisë dhe duhet të anulohet”.
Jake Hurfurt, kreu i hulumtimit në grupin e lirive civile “Big Brother Watch” u shpreh se “certifikatat Covid po unifikohen në prapavijë me kartat e identitetit”.
“Fakti që qeveria ka bërë një marrëveshje me Entrust-in, një kompani e cila haptas po komploton me rrugën e përbashkët mes pasaportave të vaksinave dhe kartave digjitale të identitetit, vetëm thekson se çfarë kërcënimi serioz do të ketë për liritë tona civile dhe privatësinë tonë”, tha ai.