Presidentja e Komisionit të Bashkimit Europian (BE), Ursula von der Leyen deklaroi se BE-ja do të ndajë një buxhet prej tre miliardë eurosh deri në vitin 2024 për të mbështetur sirianët e strehuar në Turqi.
Pas samitit të liderëve të BE-së të mbajtur në Bruksel, Von der Leyen mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe kryeministrin e Portugalisë, kryesuesin e radhës të BE-së, Antonio Costa.
Von der Leyen theksoi se marrëdhëniet me Turqinë dhe situata e sirianëve ishin ndër temat e diskutuara gjatë samitit.
“Ne e kemi bërë të qartë se do të vazhdojmë të mbështesim Turqinë, e cila pret miliona refugjatë sirianë, dhe partnerë të tjerë në rajon si Jordania dhe Libani”, shtoi ajo.
Von der Leyen tha se pjesa dërrmuese e barrës është mbi rajonin dhe se është në interesin e përbashkët të Evropës të mbrojë refugjatët dhe të mbështesë mikpritësit e tyre. Duke theksuar se ata kanë ofruar mbështetje në të kaluarën dhe se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Ne planifikojmë të ndajmë një shtesë prej tre miliardë eurosh deri në vitin 2024 për të mbështetur refugjatët në Turqi. Këto para do të vijnë tërësisht nga buxheti i BE-së dhe do të përdoren për mbështetjen socio-ekonomike të refugjatëve”, nënvizoi ajo.
“Në të njëjtën kohë, Komisioni i BE-së do të sigurojë 2,2 miliardë euro për sirianët në Jordani dhe Liban deri në vitin 2024. Ne kemi ftuar anëtarët e BE-së për të siguruar më shumë fonde”, shtoi Von der Leyen.
Duke njoftuar se udhëheqësit e BE-së e mbështesin këtë paketë, von der Leyen tha se Komisioni Europian tani do të përgatisë propozimin zyrtar ligjor.