Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shpreson që SHBA-ja do të rihapë në të ardhmen kufijtë e saj për europianët ndërkohë që pandemia e COVID-19 është përhapur në dy krahët e Atlantikut.
Bashkimi Europian, i nxitur për të rinisur turizmin në Kontinentin e Vjetër, tashmë ka rihapur të vetin për amerikanët, me kusht që ata të vaksinohen ose të paraqesin një test negativ.
Vendet e BE-së tani po kërkojnë reciprocitet për shtetasit e tyre që dëshirojnë të udhëtojnë në SHBA, që ka mbetur kryesisht e bllokuar për 15 muaj.
“Ne duhet të drejtohemi nga shkenca dhe nga ekspertët mjekësorë, jo të marrim një vendim politik por një vendim të bazuar në fakte”, theksoi Antony Blinken në një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij francez, Jean-Yves Le Drian në Paris.
Qëndrimi i Uashingtonit për kufijtë nuk ka ndryshuar pas turneut europian të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili u zgjodh pjesërisht me premtimin për të luftuar më mirë pandeminë.
Udhëtarët që vijnë nga hapësira Shengen, Britania e Madhe dhe Irlanda nuk mund të hyjnë në SHBA që prej marsit 2020, një ndalim udhëtimi gjithashtu në fuqi për Afrikën e Jugut, Brazilin, Kinën, Indinë dhe Iranin.