Trajneri Roberto Martinez tha se Belgjika nuk do ta ndryshojë qasjen e saj për ndeshjen e së dielës në 1/8 së finales në “Euro 2020” kundër kampiones në fuqi të Evropës, Portugalisë, pavarësisht kërcënimit të madh nga shënuesi kryesor i turneut Cristiano Ronaldo.
Belgjika, skuadra e renditur më së miri në botë, përballet me një kundërshtare të vështirë në Evropian, pasi mori pikët maksimale nga tri ndeshjet e luajtura në Grupin B. Portugalia avancoi në fazën e nokautit si njëra nga katër ekipet më të mira të vendit të tretë, ngjashëm sikurse në “Euro 2016”, turne të cilin e fitoi.
Por me Romelu Lukakun në formë, Kevin de Bruynen që u kthye nga lëndimi dhe Eden Hazardin që ishte titullar në fitoren 2:0 ndaj Finlandës, belgët nuk kanë asnjë mungesë të fuqisë së tyre për duelin me Portugalinë. Ndeshja Belgjikë – Portugali luhet të dielën nga ora 21:00.
“Ne nuk mund të ndryshojmë fytyrën tonë. Ne jemi një ekip dinamik, i ndërtuar për të sulmuar dhe për të arritur te porta e kundërshtarit sa më shpejt që të jetë e mundur, por do të duhej të jemi të durueshëm”, tha Martinez në një konferencë shtypi të premten. “Ne do të duhej të merrnim vendimin e duhur se kur duhet të jemi të durueshëm dhe kur duhet t’i bëjmë kundërsulmet. Ne jemi plot vetëbesim. Kur shijojmë futbollin tonë, ne luajmë në mënyrën më të mirë”.
Belgjika doli e treta në Botërorin e vitit 2018. Por për ta realizuar synimin e saj në “Euro 2020”, të arrijë deri në finalen e 11 korrikut që do të luhet në Londër, do të ketë punë të vështirë. Nëse kalon Portugalinë, atëherë belgët do të kenë Italinë, Francën ose Spanjën për kundërshtarë të mundshëm në dy raundet e ardhshme.
“Është një rrugë e vështirë, por nëse e kalon atëherë është e mirë”, tha portieri Thibaut Courtois. “Kjo është rruga që na pret, por shpresojmë të përfundojmë mirë”.
E para “pengesë” është nga Ronaldo me shokë në Sevilla, ku Belgjika do të ketë avantazhin e dy ditëve shtesë pushim në krahasim me Portugalinë, e cila barazoi 2:2 me Francën të mërkurën për të siguruar vendin në fazën e nokautit.
“Ndoshta është shumë herët që të dy ekipet të përballen me njëra-tjetrën, por duhet të jeni të përgatitur për duele të tilla”, tha Martinez. “Portugalia është një ekip që çfarëdo që bën e bën shumë mirë. Ne pamë lojëra shumë të ndryshme kundër Francës, Gjermanisë dhe Hungarisë. Kur mund të fitosh një finale në Paris kundër Francës në ‘Euro 2016’, mendoj se kjo tregon potencialin që posedon. Tani ata kanë një brez që di të fitojë. Ne i respektojmë ata jashtëzakonisht shumë, por edhe ne kemi lojtarë fantastikë”.
Ronaldo ka shënuar pesë gola në tri ndeshje pasi u bë lojtari i parë që u paraqit në pesë kampionate evropiane. Dy penalltitë kundër Francës e panë atë të barazojë rekordin e të gjitha kohërave për gola të shënuar në përfaqësuese, të cilin e ka mbajtur ish-sulmuesi i Iranit, Ali Daei, me 109 gola.
“Unë mendoj se duhet të mbrohemi shumë, shumë mirë”, tha Martinez, i cili përjashtoi bërjen e një plani lojë të dizajnuar ekskluzivisht për të mbyllur Ronaldon. “Kur vendosni një plan kundër një lojtari specifik, mund të lëndoheni nga lojtarë të tjerë. Ju gjithmonë duhet të jeni të vetëdijshëm për Ronaldon, por duhet të mbroni edhe lojtarët tjerë në të njëjtën masë. Ata kanë lojtarë individualë të jashtëzakonshëm nga Bernardo Silva te Diogo Jota, Bruno Fernandes dhe Renato Sanches. Këtu duhet shtuar edhe përvojën e qendërmbrojtësit Pepe. Ne e dimë pse ata kanë qenë të suksesshëm dhe pse e kanë fituar Ligën e Kombeve. Kjo është për shkak se ata kanë këtë mentalitet të pabesueshëm