Futbollistët e Anglisë do të udhëtojnë në Romë për çerekfinalen e “Euro 2020” kundër Ukrainës të shtunën, ndërsa po synojnë të arrijnë në gjysmëfinale të një Evropiani për herë të parë në 25 vjet.
Anglia e Gareath Southgatet triumfoi 2:0 ndaj Gjermanisë të martën në prani të afro 42 mijë tifozëve në Wembley, ndërsa po të martën Ukraina mposhti 2:1 Suedinë pas shtesave.
Tifozët anglezë festuan fitoren historike, që ishte e para ndaj Gjermanisë në fazën nokaut të një turneu të madh pas 55 vjetëve.
Southgate ka thënë se ekipi ka filluar të flasë për ndeshjen e të shtunës.
“Është moment i rrezikshëm për ne. Ne do të kemi ngrohtësinë e suksesit dhe po ashtu ndjenjën në shtetin tonë se vetëm duhet të paraqitemi për të fituar. Por e dimë se është sfidë e madhe para nesh”, ka thënë Southgate.
Nëse Anglia e mposht Ukrainën në çerekfinale, atëherë në gjysmëfinale do të përballet me fituesin e ndeshjes Çeki – Danimarkë. Ndeshjen e të shtunës Anglia e luan në Romë.
Në rast se fiton më pas gjysmëfinalen e finalen do ta luajë në Wembley.
Do të jetë ndeshja e vetme e Anglisë që do ta luajë jashtë Wembleyt në “Euro 2020”.