Mesfushori i Belgjikës, Axel Witsel, ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij të jenë të guximshëm në duelin kundër Italisë.
Të dyja skuadrat do të takohen në Mynih të premten në çerekfinalen e “Euro 2020”.
Witsel nënvizoi se “djajtë e kuq” nuk duhet ta përsërisin gabimin që e bënë kundër Portugalisë në 1/8 e finales, kur e ngadalësuan ritmin në 20-të minutat e fundit, e duke menduar vetëm ruajtjen e avantazhit prej një goli.
“Mendoj se ndeshja mund të vendoset në mesin e fushës sepse kanë lojtarë si Jorginho e Verrati që kanë shumë kualitet. Kanë teknikë dhe organizatorë të mirë të lojës. Padyshim se do të jetë luftë në mesfushë dhe duhet të tregojmë se jemi gati. Është e vërtetë që Italia është ekip që dëshiron ta kontrollojë lojën, janë të shpejtë në sulm”, ka thënë në konferencën për shtyp mesfushori Witsel.
Ndërkohë, përzgjedhësi i Belgjikës, spanjolli Roberto Martinez, bëri të ditur se De Bruyne dhe Hazard nuk kanë stërvitur me klubin dhe se do të pres deri në fund për ta marrë vendimin.
“Siç e dini që të dy nuk kanë stërvitur në mëngjes me grupin. Kjo është diçka që e kemi pritur. Ka edhe shumë orë përpara për t’u rikuperuar por ne e dimë se po luftojmë me kohën. Do të presim deri në momentin e fundit për ta marrë vendimin. Ka përmirësime në ta, por duhet të presim nëse mund të përfshihen apo jo. Për fat të keq nuk mund të marrim vendim”, theksoi Martinez.
Ai tha po ashtu se Belgjika dhe Italia janë prej skuadrave më të mira të mbetura në garë.