Koreja e Veriut po përballet me mungesë të madhe të ushqimit dhe vetëm për këtë vit ka mungesë të 860.000 tonëve grurë, ka bërë të ditur Organizata për Ushqimi dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara.
Sipas parashikimit të kësaj organizate, vendi mund të përballet me krizë të madhe qysh në muajin e ardhshëm.
Vendi i varfër që përballet me sanksione të shumta ndërkombëtare për shkak të zhvillimit të armëve nukleare, ka kohë që përballet me vështirësi për të ushqyer popullatën.
Vitin e shkuar, pandemia dhe një sërë vërshime shtuan presionin mbi ekonominë në rënie. Ndërkohë që diktatori i këtij vendi, Kim Jong-un, pranoi mungesën e ushqimit në vend.
Parashikohet që Koreja e Veriut këtë vit të prodhojë 5.6 milionë tonë grurë, e kjo është për 1.1 milionë më pak se që është e nevojshme për të ushqyer popullatën. Vendi planifikon të importojë edhe 250.000 tonë, për çka i bie se do të përballet me mungesë të 850.000 tonëve të tjerëve.
“Nëse kjo nuk mbulohet me import komercial ose me ndihmë në ushqim, banorët do të përjetojnë krizë të madhe nga gushti deri në tetor”, thuhet në raportin e Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara.
Koreja e Veriut gjatë viteve ’90, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik, i cili ishte përkrahësi më i madh i këtij vendi diktatorial, pati shpesh mungesë të ushqimit dhe mijëra njerëz besohet se kanë vdekur nga uria.