Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, duke komentuar ndalesën e zyrtarëve serbë në Kosovë, ka thënë se çdokush që vjen me tendencë në Kosovë nuk do t’i lejohet hyrja.
Pacolli ka thënë se Kosova do të jetë e mbyllur çdo herë për të gjithë ata që tentojnë të prishin harmoninë ndëretnike në vend.
“Sa i përket ndalesës së hyrjes në njerëzve në Kosovë. Kosova është vend i lirë demokratik që garanton lirinë e lëvizjes së njerëzve. Kosova asnjëherë nuk do t’i mbyll kufijtë e saj. Në Kosovë do të jetë i mirëseardhur çdo mik dhe çdokush që donë të vijë të vizitojë e të zhvillojë marrëdhënie me Kosovë. Por Kosova do të jetë e mbyllur gjithnjë për dikë që ka tentativë që çakordon marrëdhëniet ndëretnike dhe për ne paraqet një simbol të shenjtë që është e mbrojtur me të gjitha ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Askush nuk ka të drejtë të vijë në Kosovë të nxitë urrejtje ndaj njerëzve”, tha ai.
I pari i diplomacisë kosovare ka thënë se këtë nuk po e bëjnë në formë hakmarrje, por po dëshmojnë se janë të zotët të mbrojnë interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim kombësie.
“Ne kemi ndalu hyrjen e njerëzve zyrtarëve të lartë të Serbisë kur kemi dëshmi të fuqishme se ata vijnë me arsye tendencioze. Asnjëherë nuk do të hakmerremi me askënd dhe do të mundohemi që prej këtu dhe rajon të shkojnë vetëm informata të mora dhe të krijojnë hapësirë të paqes, bashkëpunimit dhe harmonisë”, tha ai.
Sa i përket lobimit për liberalizim të vizave për Kosovën dhe qëndrimin kundër të Francës, Pacolli tha se janë duke punuar, duke pranuar se shtetet mike po kërkojnë shumë nga Kosova.
“Ne jemi duke punuar dhe dëshmia më e mirë e jona është ta dëshmojmë me veprat tona. Ndoshta është e tepruar prej disa miqve tanë që preson që gjithçka të jetë perfekt në Kosovë. Tani në fokus është Kosova dhe për një gjë të tillë flitet më tepër”, tha ai.
Këto komente Pacolli i bëri me rastin e hapjes solemne të kryesimit të Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore SEECP i cili do të zgjasë deri në korrik të vitit 2020.