Hungaria do të duhet t’i luajë tri ndeshjet e ardhshme në shtëpi me dyer të mbyllura pasi UEFA i ka vlerësuar fajtor tifozët e saj për shkak të sjelljeve diskriminuese gjatë “Euro 2020”.
Ky dënim është i lidhur me racizëm dhe aspekte tjera diskriminuese të cilat janë gjetur në secilën ndeshje të Hungarisë në fazën e grupeve, kundër Portugalisë, Francës dhe Gjermanisë në muajin qershor.
Hungaria po ashtu duhet të shfaq baner promovues për barazi në ndeshjet e ardhshme.
UEFA nuk është ndalur me vetëm këto dënime. Konfederata e futbollit evropian e ka dënuar Federatën e Futbollit të Hungarisë edhe me 100,000 euro.
Këto dënime janë të lidhura vetëm me ndeshjet që organizohen nga UEFA. Hungaria do të luajë kundër Anglisë në kualifikimet e Kupës së Botës më 2 shtator, por kjo ndeshje do të organizohet me rregullat e trupit qeverisës të FIFA-s.
Gjatë ndeshjes hapëse kundër Portugalisë në “Euro 2020”, në stadiumin “Pushkash Arena” në Budapest më 15 qershor, tifozët shfaqën parulla homofobike.
Katër ditë më vonë, para ndeshjes me Francën, tifozët marshuan në fushë me një baner që u thoshte lojtarëve që ta ndalin gjestin e uljes me një gju, e që në të vërtetë është protestë kundër racizmit.
Disa lojtarë të Francës po ashtu u ankuan për abuzim racor.
Tifozët e Hungarisë më pas sollën një baner kundër-LGBT-s në ndeshjen kundër Gjermanisë në Munich më 23 qershor.
Pati edhe këndime në kor kundër këtij komuniteti nga disa tifozë hungarez përgjatë ndeshjes.