Britania kalon në fazën e fundit të lehtësimit të kufizimeve anti-Covid më 19 korrik. Këtë datë e kanë konfirmuar ministrat dhe do të thotë se të gjitha kufizimet do të hiqen.
Pavarësisht kësaj, kryeministri britanik tha se është jetësore të vazhdohet me kujdes pasi kjo pandemi nuk ka mbaruar. Do ishte mirë që këtë këshillë ta jepte kryeministri ndoshta ditën e djeshme në ndeshjen finale të Kupës Europiane ku mbi 60 mijë tifozë u vërsulën në stadium.
Kulmi i valës aktuale sipas ekspertëve të qeverisë nuk pritet para mesit të gushtit dhe mund të çojë në midis 1.000 dhe 2.000 shtrime në spital në ditë. Ata thonë se vdekjet nga Covid pritet të jenë midis 100 dhe 200 në ditë në kulmin e tij më të madhe, megjithëse ekziston pasiguri e madhe, shtojnë ata.
Vaksinimet sipas ministrit të ri të Shëndetësisë Sajid Javid kanë krijuar një mur mbrojtës, që do të thoshte se Britania mund të përballojë një valë vere virusi.
Nga konferenca në Downing Street Boris Johnson tha se koronavirusi: “Vazhdon të sjellë rreziqe për ju dhe familjen tuaj. Ne nuk mund të kthehemi thjesht dhe menjëherë nga e hëna 19 korrik në jetën siç ishte para Covid. Duhet të ketë një qasje e kujdesshme”.
Ndërsa praktikisht të gjitha kufizimet ligjore do të hiqen nga 19 korriku, disa udhëzime do të mbeten.
-Maska në disa vende publike të mbyllura do të hiqet, por në disa zona të tjerë do jetë e rekomanduar.
-Klubet e natës gjithashtu do të lejohen të rihapen për herë të parë që nga marsi i vitit 2020 dhe kufijtë e kapacitetit do të hiqen për të gjitha vendet dhe eventet
-Nuk do të ketë më asnjë kufizim se sa njerëz mund të takojnë dhe rregulli i distancës 1 metër plus do të hiqet.
-Por klubet e natës dhe vendet e tjera me turma të mëdha do të inkurajohen të përdorin certifikatën e Covid – të ashtuquajturat pasaporta të vaksinës së brendshme – “si një çështje e përgjegjësisë sociale”, tha kryeministri. Këto do t’i lejonin qytetarët të tregonin se kanë marrë dy dozat e vaksinës, kanë rezultuar negativ në testin e shpejtë ose kanë imunitet pasi janë shëruar nga Covid-19. Të gjitha këto do jenë në dispozicion në aplikacionin e NHS.
-Udhëzimet e qeverisë për të punuar nga shtëpia ku është e mundur do të hiqen, por ministrat po inkurajojnë një kthim gradual në vendin e punës.
-Kërkesa për tu vetëizoluar nëse keni dyshime do të qëndrojë në fuqi deri më 16 gusht. Nëse dikush rezulton pozitiv për virusin, do të kërkohet që të izolohet sipas ligjit në fuqi.
Plani i plotë pritet të publikohet në ditët në vijim.