Kur Ibrahim Al Hussein iku nga Siria në vitin 2012 pasi u plagos nga një shpërthim gjatë luftës civile të vendit të tij, jeta e tij u përmbys. Gati një dekadë më vonë Al Hussein po përgatitet për Lojërat e tij të dyta Paralimpike në Tokio dhe thotë se noti e ka ndihmuar atë për të rindërtuar jetën e tij dhe për t’u integruar pas migrimit në Greqi. Në kompleksin e notit në natyrë, të përdorur për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike të vitit 2004 në Athinë, Al Hussein bën zgjatjet dhe heq këmbën e tij (protezën) në një vend me hije para se të hyjë në ujë për dy orë stërvitjeje nën diellin e nxehtë.
“Kam filluar të notoj kur isha pesë vjeç. Babai im ishte trajneri im në vendin tim, Siri. Ndihem shumë rehat kur jam në ujë me gjithë lodhjen, gjithë stërvitjen dhe përpjekjen që i bëj”, tha ai. “Unë e konsideroj veten si një peshk. Është sikur nuk do të jem në gjendje të jetoj nëse jam larg ujit. Ditën që nuk stërvitem për një arsye ose një tjetër shpesh jam i mërzitur dhe ndihem i zymtë”.
Ndërsa lufta në Siri zhvillohej në qytetin e lindjes dhe rreth tij , Deir ez-Zor, në vitin 2012, Al Hussein ishte vizituar nga një mik. Kur shoku i tij u largua për të shkuar në shtëpi, shoku u qëllua, thotë Al Hussein. Ai vrapoi për të ndihmuar.
“Unë isha gati ta çoja mikun tim në një vend të sigurt ose në spital. Por fatkeqësisht sapo e arrita atë, pesë sekonda ose pak më vonë ndodhi një shpërthim pranë meje”, tha ai.
Edhe shoku i tij mbijetoi. Al Hussein mori trajtim urgjent mjekësor në një klinikë të improvizuar para se të dërgohej në Turqinë fqinje. Ai jetoi atje dhe kishte telashe me adaptimin, para se përfundimisht të bënte udhëtimin e rrezikshëm me anije për në Greqi në shkurt të vitit 2014.
“Në ditët e para kur erdha në Greqi gjeta një mjek që më ndihmoi. Pas kësaj vendosa të qëndroja këtu. Gjeta atë që kërkoja dhe nuk kisha asnjë arsye të vazhdoja të kërkoja diku tjetër”, thotë ai.
Al Husseini takoi një mjek, i cili pranoi të trajtonte dëmtimin e tij dhe t’ia siguronte atij një protezë duke e bërë të ndihet si në shtëpinë e tij në Greqi. Një vit më vonë ai më në fund hyri përsëri në pishinë, duke notuar për një klub me bazë në Qendrën Ujore Olimpike në Athinë. Rastësisht ai kishte parë garat Olimpike të notit në 2004 në televizor, kur ato mbaheshin në të njëjtin vend dhe kishte ëndërruar si adoleshent që një ditë të konkurronte atje. Tentimi i parë i Al Husseinit për t’u rikthyer në pishinë çoi përfundimisht në kthimin e tij në gara, së pari në një nivel lokal, pastaj më tej. Suksesi i tij si një sportist refugjat tërhoqi vëmendjen në Greqi, duke siguruar një ftesë për të mbajtur pishtarin olimpik si pjesë e stafetës për Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Nga atje ai u afrua në lidhje me notin për ekipin e ri të refugjatëve të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar. Konflikti në Siri e vendosi migrimin në fokus deri në vitin 2016 dhe organizatorët Olimpikë dhe Paralimpikë ishin të etur t’u jepnin atletëve refugjatë një platformë për të garuar. Deri atëherë ishte e vështirë për ta bërë këtë pa mbështetjen e autoriteteve në kombet e tyre. Nisma është zgjeruar. Al Hussein ishte një nga dy paralimpistët refugjatë në Rio, por këtë herë do të jenë gjashtë në Tokio. Ai shpreson të arrijë në finale edhe pse pandemia e koronavirusit prishi planet e tij të stërvitjeve. Al Hussein është plot lavdërime për jetën në fshatin paralimpik me sportistë nga e gjithë bota dhe thotë se ai dëshiron të jetë një shembull pozitiv për refugjatët e tjerë me aftësi të kufizuara.
“Nëse keni forcë, nuk shikoni nëse po ju mungon një krah apo një këmbë. Forca vjen nga brenda”, tha ai.
“Ju shikoni përpara për të arritur atje. Nëse punoni, nëse jeni i sigurt, do të arrini atje. Nëse keni një ëndërr, nëse bëni punën tuaj, momenti do të vijë”.
Lojërat Paralimpike “Tokio 2020” do të startojnë më 24 gusht dhe do të përfundojnë më datën 5 shtator.