Skuadra e Liverpoolit ka bërë gati ofertën për ta bindur Atletico Madridin në lirimin e mesfushorit Saul Niguez. Mediumet britanike kanë raportuar të premten se krahas parave, Liverpooli ka përfshirë edhe dy futbollistë vetëm për të siguruar shërbimet e Saulit, i cili do të largohet nga Atletico gjatë kësaj vere.
Bëhet e ditur se futbollistët e ofruar për Saulin, janë Xherdan Shaqiri e Divock Origi pasi nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit të Liverpoolit, Juergen Klopp për sezonin e ardhshëm.
Atletico po kërkon të paktën 50 milionë euro dëmshpërblim për Saulin, i cili ka kontratë me klubin deri në vitin 2026. Shaqiri ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2023 kurse së fundi u paraqit me Zvicrën në “Euro 2020” ku realizoj tri gola në pesë ndeshje të luajtura. Zvicra në Evropian u eliminua në 1/8 e finales nga Spanja.