Plani i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson për të hequr që të gjitha masat anti-COVID në datën 19 korrik dhe për të hapur krejtësisht vendin është kundërshtuar nga mbi 1200 shkencëtarë të cilët në një letër të publikuar në revistën “Lancet” kanë bërë thirrje që vendimi të rishikohet duke e cilësuar rihapjen e plotë “kërcënim për të gjithë botën”.
Shkencëtarët ngrejnë shqetësime në lidhje me variantet e rinj të COVID-19, veçanërisht ai delta, që është përhapur në më shumë se 50% të rasteve të reja në Britani.
Firmëtarë të letrës së hapur kanë qenë edhe këshilltarë të qeverisë të Zelandës së Re, Izraelit dhe Italisë, që shprehin shqetësimin se progresi i bërë në vendet e tyre në luftën kundër pandemisë do të zhbëhet nga vendimi i Britanisë për t’u rihapur krejtësisht.
“Ne nuk mund të kuptojmë se përse ky vendim është marrë ndërkohë që komuniteti shkencor dhe statistikat nuk e mbështesin. Na tremb edhe fakti që shtete të tjera mund të ndjekin shembullin britanik dhe të rrezikojnë miliona banorë nga rikthimi i një vale pandemike.”– shkruhet mes të tjerash në letër.

