Ish-kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Trajko Velanoski u dënua me 6 vjet e gjysmë burg, ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spire Ristovski me 6 vjet e 3 muaj burg, ndërsa ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) Vlladimir Atanasovski me 6 vjet burg për ”kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”, për organizimin e sulmit kundër parlamentit, më 27 prill 2017.
Në këtë proces ishin të akuzuar edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski dhe operativi i DSK-së, Nikolla Boshkovski.
Para se të lexonte vendimet, gjykatësi e arsyetoi ato, ku sqaroi se ndonëse partia në pushtet në atë kohë dhe të akuzuarit pohonin se nuk kishin kurrfarë lidhje me organizimin e protestave që kulmuan me sulm ndaj parlamentit, dëshmitë treguan të kundërtën.
Sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, të akuzuarit e dinin saktësisht se çfarë po bënin dhe kanë bërë çmos me qëllimin e vetëm për të parandaluar formimin e qeverisë së re nga shumica e re parlamentare që tashmë ishte siguruar.
Më 27 prill të vitit 2017, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryetar i parlamentit, demonstruesit, të cilët ishin mbledhur para godinës së parlamentit, hynë me forcë në shtëpinë ligjvënëse.
Si rezultat i dhunës nga ana e demonstruesve ndaj deputetëve u plagosën rreth 100 persona, përfshirë deputetë, policë dhe përfaqësues të medias.