Periudha e luftës në Kosovë, ashtu sikurse për të gjithë shqiptarët, e vështirë ka qenë edhe për Arbnor Shalën, nga fshati Shkabaj i Prishtinës.
Në moshën 5-vjeçare, Arbnori së bashku me familjen, nga kampi i refugjatëve në Maqedoni, vendoset në Amerikë.
Ani pse e la vendin në luftë, ai kurrë nuk e harroi atë.
Kështu, ai vazhdoi studimet në Amerikë, për t’i realizuar qëllimet jetësore.
Shala ka përfunduar Fakultetin e Kriminalistikës, për t’u bërë pastaj pjesë e Ushtrisë Amerikane për Mbrojtjen e Ujërave.
Ai arriti të bëhet pjesë e kësaj force si shqiptar i vetëm, në mesin e 41 mijë ushtarëve të tjerë.
Në kohën sa po avancohej në këtë fushë, Shala ka kaluar nëpër shumë vështirësi.
Ndër to është edhe aksioni për kapjen e një nëndetëseje të huaj, që përmes ujit po transportonte në mënyrë ilegale mbi 7 mijë kg kokainë, në vlerë të 569 milionë dollarëve.