Së paku shtatë persona kanë vdekur nga zjarret në pyje në Algjeri, njoftoi të martën autoriteti i mbrojtjes civile.
Radiostacioni shtetëror raportoi se disa shtëpi janë shkatërruar plotësisht nga flakët, ndërsa gazeta “al-Bilad” raportoi se shkollat në provincën Tizi Ouzou janë duke pranuar njerëz të zhvendosur.
Kjo gazetë shkroi se civilët janë paraqitur si vullnetarë për t’i ndihmuar ekipet e mbrojtjes civile, të cilat janë duke luftuar me zjarret nga e hëna, shkruan Al Jazeera, transmeton Gazeta Express.
Së paku 19 zjarre kanë shpërthyer në 14 provinca të shtetit të Afrikës Veriore.
Ndryshe, me zjarre po përballen edhe disa shtete në Evropë, Azi e në Amerikën Veriore.
Greqia dhe Turqia kanë shënuar viktima, përpos dëmeve të mëdha materiale dhe djegies së mijëra hektarëve me pyje.
Reshjet e shiut sollën lehtësim për disa pjesë të Turqisë, por 5.000 zjarrfikës vazhduan të luftojnë kundër zjarreve për ditën e njëmbëdhjetë radhazi.
Me zjarre në natyrë po përballet edhe Rusia, ku raportohet për mbi 250 vatra aktive. Rajoni më i prekur është Siberia.