Rregullatori amerikan i ilaçeve e ka dhënë miratimin që njerëzit me imunitet të dobësuar ta marrin dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19 si ndihmë për parandalimin e infeksioneve.
Urdhri i lëshuar nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve prek rreth dhjetë milionë amerikanë, përfshirë ata që kanë pranuar organe nga të tjerët dhe pacientët me kancer, shkruan BBC.
Kjo është hera e parë që zyrtarët shëndetësorë amerikanë kanë lënë të kuptohet se doza përforcuese mund të jetë e nevojshme për ta luftuar koronavirusin. Edhe disa shtete tjera kanë nisur ta ofrojnë dozën e tretë për grupe të caktuara të popullatës.
Çështja e dozës së tretë do të diskutohet të premten në Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Nëse ky grup e jep miratimin, doza e tretë mund të jetë e mundshme nga fundjava.
Ekspertët thonë se dy dozat e vaksinave të kompanive Moderna dhe Pfizer ose vaksina me një dozë e kompanisë Johnson & Johnson mund të mos ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për disa njerëz, sidomos për ata me sistem imunitar të dobësuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që dhënia e dozës së tretë të pezullohet së paku deri në fund të shtatorit në mënyrë që të gjitha shtetet të vaksinojnë së paku 10 për qind të popullsisë së vet.