Protestat e “Extinction Rebellion” shkaktuan trazira në kryeqytetin britanik ndërsa 102 persona u arrestuan deri më tani
Qindra protestues ambientalistë zbarkuan sot në qendër të Londrës në ditën e tretë të protestave masive të planifikuara në të gjithë kryeqytetin britanik.
Protestuesit marshuan drejt Cirkut Picadilly pasi u mblodhën fillimisht para Ambasadës së Brazilit për t’u tubuar për “popujt autoktonë të pyjeve të shirave të Amazonës”, duke mbyllur kryqëzimin kryesor dhe duke bllokuar trafikun.
Më shumë se 100 persona janë arrestuar gjatë dy ditëve të para të protestave në pikat më të ngarkuara të Londrës qendrore, përfshirë sheshin Trafalgar, Leicester, Cirkun Cambridge, Whitehall dhe rrugën Oxford.
Të martën, protestuesit bllokuan hyrjen e ndërtesës së Selfridges dhe u mblodhën për pak kohë në rrugën Oxford, duke shkaktuar bllokadë. Disa protestues lidhën veten për automjete ndërsa disa të tjerë u ngjitën në dritaret e dyqaneve.
“Extinction Rebellion do të dalë përsëri në rrugë, me planet për të bllokuar Qytetin e Londrës për të protestuar shkaqet thelbësore të krizës klimatike dhe ekologjike dhe ekonominë politike”, thuhet në deklaratën e grupit për protestat.
Protesta e organizatës “Impossible Rebellion” filloi të hënën ndërsa mijëra u mblodhën në sheshin Trafalgar dhe marshuan drejt sheshit Leicester ndërsa ata kërkonin përfundimin e investimeve në karburantet fosile që nxisin ndryshimet klimatike.
Protestat e “Extinction Rebellion” erdhën vetëm dy muaj para Samitit të OKB-së për klimën, COP26, që do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, nga 31 tetor deri më 12 nëntor.
Udhëheqësit botërorë pritet të takohen në Glasgow “për të përshpejtuar veprimet drejt qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit dhe Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike”.
Gjithsej 102 protestues janë arrestuar deri më tani, sipas policisë. Në protesta të ngjashme nga grupi në vitin 2019, më shumë se 1.600 persona u arrestuan.