OBSH ndan 100 mln vaksina kineze për vendet e Afrikës dhe Azisë

albnews
By
2 Min Read

Shkencëtarët në Kinë kanë provuar se vaksinat kineze “Sinovak” dhe “Sinofarm” ofrojnë 70 përqind mbrojtje ndaj llojit “Delta” të koronavirusit. OBSH-ja do shpërndajë 100 milionë doza në kuadër të programit “COVAX”. Gati 900 milionë kinezë janë vaksinuar plotësisht me to.

Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet t’u ndajë 100 milionë vaksina kineze “Sinovac” dhe “Sinopharm” vendeve të Afrikës dhe Azisë.

OBSH-ja njoftoi se dy kompanitë, shtetërorja “Sinopharm” dhe privatja “Sinovac”, do i sigurojnë dozat brenda muajit shtator.

Sasia do i shtohet totalit prej 2 miliardë vaksinash që programi COVAX i OBSH-së ka planifikuar të shpërndajë për vitin 2021.

Vaksinat kineze u janë ofruar dhjetëra shteteve në botë, kryesisht, por jo të gjithë i duan ato.

Një zyrtar i lartë që kryeson departamentin e shëndetësisë në Afrikën e Jugut tha se nuk do i pranojnë vaksinat e firmës “Sinovac” pasi nuk ka informacion për efikasitetin e tyre kundër variantit Delta të koronavirusit apo mbi efektet e mundshme te popullatat e infektuara me sidë.

Gjatë ditës, shkencëtarët kinezë zbuluan se të dyja vaksinat kanë aftësi të larta mbrojtëse ndaj llojit Delta, me efektshmëri 70 përqind për trajtimin e pneumonisë që shkakton kovidi dhe mbrojtje totale për simptomat më të rënda.

Përfundimet rezultuan nga studimi i 10 mijë personave në provincën jugore të Guangdongut, gjatë valës së fundit epidemike në maj-qershor.

Kina po shkon drejt imunizimit të plotë të 1,4 miliard banorëve të vet deri në fund të vitit.

Rreth 890 milionë kinezë janë vaksinuar plotësisht ndaj Covidi-19 me 2 miliardë doza, prej të cilave 1 miliard vetëm në 10 javët e fundit.

Ekspertët thonë se me efektivitetin 70-përqindësh që kanë vaksinat kineze, do duhen vaksinuar 80 për qind e banorëve në mënyrë që Kina të arrijë imunitetin e tufës.

Share This Article