Agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara tha se Koreja e Veriut duket se ka rifilluar operacionet në një reaktor bërthamor, që besohet se prodhon plutonium.
Plutoniumi është një substancë që përdoret për krijimin e armëve bërthamore.
“Që nga fillimi i korrikut, 2021, ka pasur indikacione, përfshirë shkarkimin e ujit ftohës, që tregojnë për funksionimin e reaktorit” në Jongbjon, tha Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.
Sipas saj, kjo është shenja e parë e aktivitetit operacional në reaktorin prej 5 megavatësh qysh në dhjetor të vitit 2018.
Inspektorët e agjencisë me qendër në Vjenë janë dëbuar nga Phenjani në vitin 2009 dhe, që atëherë, ata mbështeten vetëm në imazhet satelitore për të kryer vlerësimet e tyre.
Koreja e Veriut ka kryer provën e fundit bërthamore në vitin 2017, por ka vazhduar me disa teste raketore.
Jongbjon është në zemër të programit bërthamor të Koresë së Veriut dhe prej kohësh monitorohet nga ekspertët që përpiqen të vlerësojnë se sa armë është në gjendje të krijojë regjimi verikorean.