Derisa qeveritë, organizatat dhe kompanitë e vendeve të huaja përpiqen të zhvendosin personelin e tyre nga Afganistani, po lind një pyetje vendimtare: a duhet të nisin bashkëpunimin me talebanët apo të braktisin investimet prej miliarda dollarëve të bëra në vend?
Javën e kaluar, talebanët kanë premtuar të drejta për gratë dhe medie të pavarura, por disa ish-diplomatë dhe akademikë thonë se ky grupim i talebanëve është shumë më i ashpër se ai në vitet e 1990.
Talebanët në të kaluarën i ndaluan gratë nga puna, vajzat nga shkolla dhe kanë vrarë kundërshtarët e tyre publikisht. Ata gjithashtu kanë strehuar Al Kaidën, e cila ka komplotuar sulmet e 11 shtatorit.
“Për organizatat e huaja që ofrojnë ndihmë, kjo situatë është një paradoks. Nëse jeni punonjës në një spital shtetëror, po i shërbeni një regjimi, legjitimiteti i të cilit është i diskutueshëm. Por, nëse të gjithë shkojnë në shtëpi, a do të rrënohet shteti?”, thotë Robert Crews, profesor i historisë në Universitetin e Stanfordit, përcjell Telegrafi.
“70 deri në 80 për qind e buxhetit të vendit është i financuar nga donatorët ndërkombëtarë, përfshirë Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar”, shprehet Michael McKinley, i cili shërbeu si ambasador në Afganistan.
Sipas tij, vendi përballet me kolaps ekonomik nëse do të mungonte kjo ndihmë.
“Talebanët do të kërkojnë fonde nga jashtë nëse nuk tërhiqen nga ajo se çfarë kanë bërë në vitet 1996-2001, që në thelb drejtuan qeverinë në nivele minimaliste. Të jetuarit nga tregtia e narkotikëve nuk u siguroi atyre një rrugë drejt qëndrimit në pushtet”, shton McKinley, i cili tani është pjesë e grupit Cohen.
Sipas paralajmërimeve, dështimi ndërkombëtar për t’u angazhuar me talebanët mund të krijojë një krizë edhe më të madhe ekonomike.
“Do të ketë një tundim të madh për t’u larguar, por ne e bëmë këtë në vitin 1989 dhe 11 Shtatori ndodhi 12 vjet më vonë”, shprehet Daniel Runde, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare me qendër në Washington, përcjell Telegrafi.
Miliarda dollarë të mbetur peng
Përderisa qeveritë e huaja po largojnë personelin e tyre, ata po lënë mbrapa projekte miliarda dollarësh, shumica e tyre përmes të financuara nga Fondi i Mirëbesimit dhe Rindërtimit të Afganistanit.
Që nga viti 2002, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë 145 miliardë dollarë për rindërtimin e vendit.
Banka Botërore në Afganistan është duke kontribuar me 2 miliardë dollarë me 27 projekte aktive, duke filluar nga hortikultura deri te sistemet e automatizuara të pagesave, që është pjesë e vlerës prej 5.3 miliardë dollarë që huadhënësi ka shpenzuar për zhvillimin dhe rindërtimin e vendit.
Gjatë ditë së martë, BB njofton se ka pezulluar ndihmën për Afganistanin, pasi talebanët morën kontrollin e vendit më 15 gusht.
Të premten e kaluar, një fluturim nga Kabuli u ul në Islamabad me 350 persona, përfshirë punonjës të Bankës Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare. Një memorandum i brendshëm i Bankës Botërore i parë nga Reuters, konfirmon se personeli i tij me qendër në Kabul, përfshirë punonjësit afganë janë evakuuar nga vendi.
“Puna jonë në Afganistan ka qenë kritike për zhvillimin e të gjithë rajoni. Unë shpresoj se do të jemi në gjendje të kemi një ndikim pozitiv, sapo situata të stabilizohet”, kishte shkruar presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.
Banka Aziatike për Zhvillimit e cila vepron në Afganistan, thotë se mbetet “e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”.
Në muajin shkurt, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kishin pezulluar të gjitha ndihmat financiare dhe projektet në Mianmar. Të dy organizatat thanë se ndikohen nga anëtarësia e tyre kur merren me ndryshime të tilla, përcjell Telegrafi.
Paqartësia në Afganistan
Duke përmendur argumentin se ekziston paqartësi mbi qeverinë afgane, FMN po ashtu ka pezulluar qasjen e vendit në fonde, duke përfshirë rreth 440 milionë dollarë në rezervat monetare.
Kompanitë amerikane, përfshirë rrjetet sociale janë të ndarë në mënyrën se si të merren me talebanët.
“Ne duhet t’i marrim në vlerë nominale deklaratat që vijnë nga udhëheqja e talebane. Ata do të duhet të dëshmojnë se janë seriozë në lidhje me këtë”, argumenton Runde.
Ryan Crocker, i cili shërbeu si ambasador në Afganistan nga viti 2011 deri 2012, i cili ka kritikuar ashpër largimin e ushtrisë amerikane nga vendi, tha se besimi i talebanëve nuk duhet të jetë një opsion.
“Talebanët janë kthyer përsëri, ata do të sjellin me vete aleatët e tyre të Al Kaidës. Ky nuk është një kërcënim hipotetik i sigurisë. Këto janë grupet që sollën 11 shtatorin dhe ata nuk janë përmirësuar”, shprehet Crocker, përcjell Telegrafi.
Pasuritë minerale
Shifrat për Afganistanin nuk janë të besueshme, por ajo që ata tregojnë, sipas Bankës Botërore, është rritja mesatare vjetore prej më shumë se 9 për qind që nga viti 2003. Pas kësaj, ajo u ngadalësua në një normë mesatare prej 2.5 për qind, midis viteve 2015 dhe 2020.
Vendi ka burime të rëndësishme natyrore, të cilat në kontekstin e një gjendje më të mirë të sigurisë, do të ishin tërheqëse për biznesin ndërkombëtar.
Janë në dispozicion me sasi të konsiderueshme disa lloje të mineraleve, përfshirë bakrin, kobaltin dhe qymyrin. Gjithashtu ka naftë, gaz dhe gurë të çmuar.
Një mineral me potencial është litiumi, që përdoret për prodhimin e baterive. Aplikimi i këtij metali do të jetë veçanërisht i rëndësishëm pasi industria motorike bën kalimin në format e transportit me emetim me zero karbon.
Në vitin 2010, një gjeneral i lartë amerikan i kishte thënë New York Times, se potenciali mineral i Afganistanit ishte “mahnitës”. Gazeta gjithashtu raportoi se një dokument i brendshëm i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, kishte thënë se vendi mund të bëhej “Arabia Saudite e litiumit”.
Megjithatë, ky potencial nuk po shfrytëzohet dhe se populli afgan nuk ka parë ndonjë përfitim nga ky mineral.