Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Gjeorgjisë, francezi Willy Sagnol ka thënë se kërkon fitore ndaj Kosovës në ndeshjen eliminatore për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Dueli mes Gjeorgjisë dhe Kosovës, zhvillohet të enjten prej orës 18:00 në stadiumin “Batumi Arena” dhe i takon Grupit B kualifikues.
Sagnol ka thënë se ekipi i tij do të ketë respekt maksimal për Kosovën, por në fushë do të futet për t’i fituar tri pikët, që sipas tij janë shumë të vlefshme. Gjeorgjia është e parafundit në grup me një pikë, derisa Kosova nuk e ka asnjë pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
“Ne jemi të përqendruar vetëm te ndeshja me Kosovën dhe nuk po mendojmë shumë për Spanjën. Është ndeshje shumë e rëndësishme, do të luajmë në shtëpi dhe duam të marrim tre pikët”, është shprehur Sagnol në konferencën për shtyp. “Shumë lojtarë të kombëtares së Kosovës luajnë në ekipe të mira dhe liga të mira. Sigurisht, do të kemi një ndeshje të vështirë, por mendoj se lojtarët tanë janë gati për këtë. Jam i sigurt se nënvlerësimi i kundërshtarit nuk do të ndodhë, ne do të japim 100 për qind nga vetja dhe do të luftojmë për tri pikë, sepse ky është qëllimi ynë kryesor”.