Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, kritikoi ashpër ngurrimin e Bashkimit Evropian për të marrë një numër të konsiderueshëm refugjatësh afganë, të larguar nga vendi pas marrjes së tij nën kontroll nga talebanët.
“Ne kemi parë vende jashtë BE-së të dalin për të mirëpritur azilkërkuesit afganë, por ne nuk kemi parë një shtet të vetëm anëtar të bëjë të njëjtën gjë”, tha Sassoli, në Forumin Strategjik të Bled-it, në Slloveni.
“Nuk mund të pretendojmë se kjo nuk është puna jonë. Ne jemi shumë të zhgënjyer nga përfundimet e takimit”, reagoi kreu i PE, duke i kërkuar Evropës të “marrë përgjegjësitë e veta” dhe “të krijojë një politikë të përbashkët”.
Politikani italian i qendrës së majtë tha se legjislatura e BE-së ishte “shumë e zhgënjyer” nga rezultati i bisedimeve mes ministrave të Brendshëm të bllokut.
Në atë takim, BE nuk bëri asnjë angazhim konkret për të marrë azilkërkues, por përkundrazi u zotua në një deklaratë të përbashkët se “do të parandalonte përsëritjen e migrimit të pakontrolluar ilegal në shkallë të gjerë”, duke ofruar ndihmë rajonale dhe duke kontrolluar me forcë kufijtë.
Parlamenti Evropian ka shumë pak ndikim kur është fjala për çështjet e jashtme dhe politikën e migracionit, që vendosen kryesisht nga kryeqytetet e BE-së.