Pasi lojtarët e Anglisë u përballën me abuzim racist në Hungari, FIFA tha të premten se do të ndërmarrë “veprime adekuate” pasi të ketë hetuar incidentin. Deklarata nga FIFA nuk i dënoi drejtpërdrejt tifozët hungarezë për abuzimin, i cili përfshinte fyerje të ndryshme, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022” që u zhvillua të enjten në stadiumin “Pushkash Arena” në Budapest. Këtë ndeshje, Anglia e fitoi me rezultatin 4:0.
“FIFA refuzon me forcë çdo formë racizmi dhe dhune, dhe ka një qëndrim shumë të qartë, me zero tolerancë ndaj sjelljeve të tilla në futboll”, tha organi drejtues i futbollit botëror. “FIFA do të ndërmarrë veprime adekuate sapo të marrë raportet e ndeshjeve në lidhje me ndeshjen e djeshme Hungari-Angli”.
Hungaria kohët e fundit ishte urdhëruar të luante dy ndeshje pa tifozë, por sanksionimi nga UEFA nuk hyri në fuqi për vizitën e Anglisë, sepse loja ishte nën juridiksionin e FIFA-s. Abuzimi racist është dënuar edhe nga kryeministri britanik Boris Johnson, i cili është kritikuar për komentet e tij fyese racore në të kaluarën.
“Është krejtësisht e papranueshme që lojtarët e Anglisë të jenë abuzuar në mënyrë raciste në Hungari mbrëmë”, ishte postimi i Johnsonit në “Twitter”. “Unë i bëj thirrje FIFA-s të ndërmarrë veprime të forta kundër atyre që janë përgjegjës, për të siguruar që kjo lloj sjelljeje e turpshme të çrrënjoset përgjithmonë nga loja e futbollit”.
Lojtarët e Anglisë u tallën për uljen në njërin gju, u goditën me gota plastike prapa portave dhe më pas u shënjestruan me thirrje raciste. Gazetarët nga transmetuesit vendas “ITV” dhe “Sky Sports”, thanë se ata panë dhe dëgjuan individë në mesin e përkrahësve të Hungarisë, prapa njërit prej golave bënin brohoritje majmunësh në drejtim të Raheem Sterlingut dhe rezervistët që nuk u inkuadrua fare në lojë, Jude Bellingham, për shkak të ngjyrës së lëkurës. “Sky Sports” tregoi pamjet e një spektatori që abuzonte në drejtim të tyre.
Ndeshja u luajt para një turme prej 60.000 tifozësh kryesisht hungarezë rreth dy muaj pasi UEFA urdhëroi ekipin të luante tri ndeshje pa tifozë – njëra prej të cilave u pezullua për një periudhë prove prej dy vjetësh – si një dënim për atë që u quajt “sjellje diskriminuese” nga mbështetësit e saj në të tri ndeshjet e fazës së grupeve në “Euro 2020”. Sidoqoftë, ato lojëra me dyer të mbyllura duhet të jenë në kuadër të garave të UEFA-s. Kualifikimet e Kupës së Botës organizohen nga FIFA.