Shpallja e qeverisë “Rama 3” pasi mazhoranca mori votën e qytetarëve në 25 prill për të qeverisur vendin për një mandat të tretë ka qenë kryefjalë e debatit publik ditët e fundit.
Pedagogu, Altin Gjeta, i ftuar në Ora News përballë gazetares Matilda Mcini duke analizuar përbërjen e kabinetit thotë se “Rama 3” nuk reflekton as figura politike dhe as ekspertizë.
Në syrin e analistit, kjo qeveri nuk është asgjë më shumë sesa një sajesë e Ramës nën frikën se eksponentë të caktuar të mazhorancës mund të jenë target i drejtësisë.
Gjeta: Nuk është se ishte ndonjë moment domethënës për zhvillimet politike në vend. Është një kabinet që nuk reflekton as figura politike dhe as ekspertizë, një kabinet i sajuar nga Rama që kërkon të luajë në mbrojtje në suaza të disa zhvillimeve të ndodhura kohët e fundit, disa dorëheqje në kampin e qeverisë nga mandati i deputetit çka sinjalizon që diçka po luan nën tokë dhe që eksponentë të caktuar të mazhorancës mund të jenë target i drejtësisë. Rama ka ndërtuar një kabinet ku është munduar të jetë i kujdesshëm që asnjë nga anëtarët e saj të mos ketë probleme me ligjin. Së dyti ishte një moment ku vërtetoi dhe njëherë shkallën e degradimit të institucioneve por edhe politikës.
Gjeta thekson se Qeveria formohet në funksion të realizimit të disa projekteve, por në asnjë moment të fjalimit të Ramës gjatë shpalljes së qeverisë së re nuk u shpalos një program.
Gjeta: Rama në asnjë moment në fjalimin e tij nuk u ndal në projektin e qeverisë së re. E anashkaloi qëllimisht këtë, Rama është një politikan populist. Nuk ka folur as gjatë fushatës për një program dhe nuk i ka fituar zgjeshjet me një program, vijon të qeverisë me evente dhe ngjarje. Është një kabinet që synon të administrojë pushtet dhe asgjë më tepër. Është një taktikë e njohur që synon të mos adresojë problemet e vendit por të tërheqë vëmendjen e opinionit ndaj ngjarjeve dhe skupeve. Kabineti i tretë i zotit Rama është simbolika e degradimit total të institucioeve shqiptare, demokracisë në vend dhe politikbërjes. Nuk flitet në asnjë moment për qytetarin, problemet reale të vendit.
Në kabinetin e ri të Ramës nuk ka asnjë politikan karriere në PS, nuk ka ekspertizë. Është instaluar kultura e njëshit. Kryetari i partisë udhëheq me dorë të hekurt, luan si të dojë me ekipin e tij dhe nuk mban asnjë përgjegjësi dhe nuk jep llogari për aktet e tij politike, është e papranueshme. Kjo tregon se kemi arritur në pikën më të ulët të ndërtimit të institucioeve funksionale dhe moderne që më pas adresojnë dhe problemet reale të vendit. Gjatë qeverisjes së zotit Rama Shqipëria ka bërë një regres në këtë drejtim. Po shkojmë drejt instalimit të një autokracie putiniste në Shqipëri. Rama është i vetëdijshëm që nuk gëzon mbështetjen e shumicës së shqiptarëve sepse institucioni i zgjedhjeve është i minuar.
Ministrat e rinj do të duhet të dekretohen nga Presidenti, por Gjeta nuk parashikon ndonjë surprizë përkundër prëplasjeve Rama-Meta.
Gjeta: Kushtetuta e rregullon mjaft qartë, Presidenti ka provokativa formale për ta dekretuar qeverinë, është përgjegjësi dhe detyrë e kryeministrit të emërojë kabinetin e tij dhe pastaj të votëbesohet në parlament. Në fund të ditës është parlamenti që emëron kryeministrin dhe gjithë qeverinë.
Edhe pse Kuvendi sipas tij është kthyer në një aneks të kryeministrit Rama, Gjeta shpreson se rikthimi i opozitës do të sjellë efekte pozitive në balancimin e situatës.
Gjeta: Shpresoj që të kemi një parlament me funksional se vitet e shkuara.
Sa i takon aksionit opozitar, ai ndan mendimin se opozita do të duhet të ofrojë një model krejt tjetër, një thyerje shumë të madhe me modelin e kryeministrit Rama por edhe me të shkuarën.
Gjeta: Opozita nuk ka funksionuar si duhet, është mjaftuar me retorikë por kjo nuk mjafton për të ardhur në pushtet. Pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të zhgënjyer nga politika. Opozita duhet të largohet nga modeli i retorikës dhe të shfaqet si alternativë. Opozita duhet të prodhojë politikë dhe alternativë dhe në mendimin tim nuk e ka bërë sa duhet.
Është shansi i vetëm për PD, zotin Basha, që të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e të bërit opozitë në Shqipëri. Duhet të kishte filluar tashmë. Basha dhe PD ka pasur disa limite që i atribuohen kundërshtarit, sjelljes së kryeministrit dhe qeverisë, mënyrës si ajo i është qasur pushtetit, por edhe limite të brendshme, nuk ka arritur dot të reflektojë realitetet e reja sociale dhe politike të vendit. Është një lloj miopie që nuk i falet opozitës. Nëse vazhdon të ecë në këtë drejtim fatkeqësisht gjasat janë që mos të arrijë të kapitalizojë mbështetje të rëndësishme elektorale dhe të vijë në pushtet.