Një pensionist britanik i cili mbijetoi tre ditë në një xhungël tajlandeze duke pirë nga pellgjet nëpër një kashtë bari tha se ai “nuk ka qenë kurrë aq i lumtur” pasi u shpëtua dhe u ribashkua me gruan e tij.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Leonard Barry Weller, 72 vjeç, nga Hastings, po udhëtonte me motoçikletë për të vizituar miqtë në provincën Khon Kaen, në verilindje të vendit, kur humbi rrugën në pyje të dendura.
Mes temperaturave të larta 35 gradë Celsius, ai u ngjit në një pemë për të provuar dhe parë një rrugë drejt sigurisë, por papritmas u godit nga një stuhi shiu dhe nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të flinte natën në xhungël.
Dhe në mënyrë të pabesueshme, pensionisti i uritur duroi tre ditë pa ushqim dhe mbijetoi duke përdorur një copë bar si një kashtë për të pirë ujë shiu nga pellgjet.
Gruaja e shqetësuar Tawee Leonard, 49 vjeç, thirri policinë dhe një grup kërkimi u dërgua të enjten dhe të premten.
Një gjuetar lokal më në fund e gjeti Leonardin të premten pasdite.
Ai u pa të dilte nga xhungla i parruar. Këmisha e tij ishte e hapur dhe ai kishte humbur këpucët.
Leonard, i cili shpërtheu në lot ndërsa përqafoi gruan e tij, i emocionuar tha: “Unë jam mrekullisht i lumtur, kurrë nuk kam qenë kaq i lumtur në jetën time”.
“Këmbët e mia janë të lënduara, përndryshe unë jam i lumtur. Unë thjesht admiroj punën që po bëjnë këta njerëz, kjo më bën të qaj”.
Leonard, i cili ka jetuar në Tajlandë për rreth 15 vjet, tha se parkoi motorin e tij për të ecur në një kodër, por më pas harroi drejtimin e kthimit “kështu që vazhdoi të ecë përpara”.
Kur vendasit gjetën Leonardin, ai ishte shtrirë në tokë në një shtrat me gjethe pa këpucë.
Ata thirrën policinë dhe ekipi i shpëtimit u ngjit përpjetë dhe e zbriti atë të sigurt.
Xhunglat e Tajlandës janë të mbushura me tigra, leopardë, arinj dhe elefantë, por shpëtuesit thanë se një pyll si ai nuk konsiderohej të ishte i rrezikshëm.