Shqipëria të mërkurën nga ora 20:45 do të zhvillojë ndeshjen eliminatore për Botërorin 2022 kundër San Marinos.
Ndeshja do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”.
“Kuq e Zinjtë” gjenden në Gurpin I të kualifikimeve për në “Katar 2022” së bashku me kombëtaret e tjera si ajo e Polonisë, Anglisë, Hungarisë, Andorrës dhe San Marinos.
Pas 5 ndeshjeve Shqipëria zë vendin e tretë me 9 pikë, një më pak se Polonia që është e dyta, e gjashtë më pak se Anglia që kryeson.
Para ndeshjes me San Marinon, seleksionuesi i Shqipërisë Edy Reja dhe mbrojtësi i krahut të djathtë Elseid Hysaj dolën në një konferencë për media, duke treguar pikat kyçe para ndeshjes së nesërme.
“Ky vetëbesim duhet, e kemi që nga përpara por jemi duke e përforcuar akoma shumë. Si të them, me të vërtetë jemi një skuadër shumë e fortë, dhe besoj që Shqipëria nuk ka pasur kaq shumë futbollistë që luajnë në nivelin evropian dhe janë të aktivizuar nëpër skuadrat që luajnë tani. Kështu që duhet ta kemi besimin në vetvete se jemi një skuadër shumë e fortë, që duhet thjeshtë të shkojmë në fushë me vetëbesimin që mund të bëjmë më mirë, siç e pamë edhe me Hungarinë sepse me të vërtetë luajtëm mirë dhe kishim raste për të shënuar shumë gola dhe për të ardhmen kjo na duhet, besimi në vetveten tonë qe jemi një skuadër e fortë dhe mund të garojmë me të gjitha ekipet”, tha Hysaj.
Po ashtu, Hysaj foli edhe për ndeshjet e kthimit të Shqipërisë kundër Kombëtareve si ajo e Polonisë, Hungarisë dhe e San Marinos.
“Unë besoj që kemi mundësi, kemi shumë mundësi që të marrim ndonjë pikë ndaj Polonisë dhe ndaj Hungarisë. Si thua për San Marinon, me të vërtetë është një ekip që ne jemi të favorizuar dhe besoj që duhet të jemi në konvercion që jemi të fortë, dhe jemi më të fortë se ata , dhe tre pikëshi duhet të jetë e jona se s’bën. Kurse për Poloninë dhe Hungarinë janë dy ndeshje që jemi duke e pritur besoj me zor sepse me të vërtetë, me Poloninë na ka mbetur pak inati sepse ndeshjen e bëmë ne”, tha Hysaj.
E seleksionuesi Reja tha se San Marino nuk do të jetë kundërshtarë i lehtë.
“Për mendimin tim ndaj San Marinos do të jetë ndeshje shumë e vështirë nuk është aspak ashtu për ne pra, nuk e marrim si një rivalë të lehtë, pavarësisht rezultateve qe ka marrë në eliminatore San Marino është një rivalë për mendimin tim i vështirë dhe i organizuar. Ne thjesht duhet të kemi frymën e duhur kur të hymë në fushë pra të kemi shpirtin e duhur të garës dhe të jemi të përqendruar në maksimum dhe të bëjmë një lojë të mirë”, tha Reja. “Sigurisht që kemi konkurrencë shumë të fortë në këtë grup në eliminatore. Kemi Hungarinë që e kemi parë tashmë është një skuadër shumë e fortë shumë e përgatitur fizikisht. Edhe Polonia po ashtu është një rival shumë i fortë, sidomos në aspektin kualitativ, pra ka individualitete shumë të mira. Por ne kemi treguar gjatë gjithë periudhës së fundit që kemi pasur rritje dhe kemi bërë paraqitje shumë të mira në vazhdimësi”, tha Reja.