Takimi mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe homologut grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë u shoqërua me vëmendje mediatike jo vetëm për temat politike, por edhe për paraqitjen e kreut të qeverisë shqiptare, shkruan media greke.
Edi Rama u vu në qendër të diskutimeve për stilin e tij të veshjes, duke u shfaqur me atlete të bardha dhe një kostum më pak formal se ai i zakonshëm protokollar, çka u komentua gjerësisht në media.
Ai madje kërkoi falje për këtë, duke ia hedhur përgjegjësinë protokollit të tij, i cili, siç tha ai, nuk e kishte informuar si duhet se po shkonte në Pallatin e Kryeministrisë, pra në zyrën e kryeministrit.
“Ju kërkoj ndjesë”, tha Edi Rama ndaj Kyriakos Mitsotakis, “që nuk jam veshur aq zyrtarisht sa ju, sepse nuk e prisja një pritje të tillë. Shpresoj që mediat greke të mos e interpretojnë ndryshe, por vetëm si mungesë informacioni të mirë nga protokolli im.”
Nga ana e tij, Kyriakos Mitsotakis iu përgjigj: “E pranojmë që ti je gjithmonë shumë kreativ në mënyrën se si vishesh, dhe na pëlqen kjo.”
Madje edhe Pina (qeni i kryeministrit grek) mbeti i habitur nga situata, shkruan media greke.

