Pas aksioneve policore lidhur me falsifikime të dëshmive të testeve COVID a të dëshmive të vaksinimit, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se po punon me Komisionin Evropian për certifikata ashtu siç i kanë anëtarët e BE-së. Komisioni Evropian po ashtu ka konfirmuar se është duke punuar me shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt dëshmive të reja të vaksinimit kundër COVID-19
Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se është duke punuar në lansimin e pasaportës digjitale e vaksinimit, që është dëshmi valide e vaksinimit për në vendet e BE-së. Digjitalizimi i dëshmive të vaksinimit, që ka filluar nëpër vende të BE-së që nga korriku, nuk i ka përfshirë ende shtetet e Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, pasaporta e vaksinimit e mundëson lëvizjen pa nevojë konvertimi të dëshmisë së Kosovës, ashtu siç e kërkojnë vende si Franca. Sipas Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, institucion prej të cilit varen një pjesë e aspekteve teknike të pasaportës, puna e tyre do të kryhet pak ditë pasi MSH-ja t’i ofrojë qasje në sistemin e saj.
“Pasi që ne si ASHI ta posedojmë shërbimin e ri, brenda një periudhe të shkurtër do ta integrojmë në e-Kosova. Në momentin që Ministria e Shëndetësisë përfundon ndryshimet e nevojshme në sistemin e tyre të brendshëm (SISH), përkatësisht Modulin e Vaksinimit, dhe të na ofrojë qasjen neve si ASHI që atë shërbim ta publikojmë në Platformën e-Kosova, do të tentojmë që brenda një periudhe të shkurtër (2-5 ditë) ta publikojmë në Platformë”, ka shkruar AShI-ja në një përgjigje për KOHËN.
Ndërkohë, MSh-ja ka deklaruar se është duke punuar me partnerë ndërkombëtarë për ta bërë të mundshëm lansimin e dëshmisë digjitale të vaksinimit dhe po presin aprovimet e tyre.
“Ministria është duke punuar ngushtë me akterët përkatës të Komisionit Evropian dhe duke ndjekur procedurat përkatëse. Është dizajnuar drafti i certifikatës dhe gjendet në proces të aprovimit. Nuk do të ketë tender të ri, pasi që Ministria ka përkrahjen e partnerëve si UNICEF dhe Banka Botërore në ofrimin e shërbimit të përkrahjes për plotësimin e modulit të COVID-it”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Lëvizja e qytetarëve do të lehtësohet me aplikimin e këtyre certifikatave, kanë thënë zyrtarët e Komisionit Evropian. Këta të fundit e kanë konfirmuar po ashtu se kanë pasur takime fillestare me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Mezi presim që partnerët e Ballkanit Perëndimor të lidhen në këtë sistem. Kemi mbajtur takime me të gjithë dhe me procesin që po vazhdon urojmë të lidhemi së shpejti. Jemi të lumtur ta shohim që BE-ja po përcakton trend në këtë pikë dhe lidership në teknologji”, ka shkruar Katarzyna Kolanko, zëdhënëse e Komisionit Evropian në një përgjigje për KOHËN.
“Pasaportat digjitale të vaksinimit” mundësojnë që verifikimi të bëhet pa dëshmi si kartonët e vaksinimit dhe besueshmërinë e dëshmive të vaksinimit për vendet anëtare të BE-së, disa prej të cilave kanë krijuar kushte favorizuese për personat e vaksinuar. Për kufizimet që bëhen brendapërbrenda shteteve të BE-së, KE-ja ka thënë se nuk bie në domenin e tyre, për aq kohë sa plotësohen kushte si privatësia e mosdiskriminimi.
“Shtetet anëtare mund të vendosin për përdorime të ndryshme, nëse lejohet me ligje nacionale e po ashtu me politikat e mbrojtjes së të dhënave. Nëse një shtet anëtar ka bërë një certifikatë për qëllime të brendshme, duhet të sigurohet që Certifikata Digjitale COVID e BE-së pranohet në plotni e pa diskriminim. Kjo bëhet në mënyrë që udhëtarët që shkojnë në një shtet tjetër të mos detyrohen ta marrin një tjetër certifikatë nacionale shtesë”, shkruhet në përgjigjen e Komisionit.