Kreu i Partisë Demokratike dhe deputetët e tij të grupit parlamentar nuk pritën dot mbarimin e seancës. Ata braktisën sallën pak minuta para se të mbaronte.
Shkak për debatin u repartizimi i deputetëve në komisionet e përhershme parlamentare.
LSI shfaqi pakënaqësi për mospërfaqësimin.
Vasili: Nuk kemi pasur asnjë komunikim që e ka bërë të pamundur të deklarojmë praninë tonë dhe preferencën tonë në komisionet përkatëse.
Menjëherë ndërhyu Taulant Balla duke legjitimuar kërkesën e LSI dhe i kërkoi PD të rishikojë numrin e deputetëve.
Balla: PD të rishikojë propozimet e veta në numrin që ka propozuar sepse praktikisht i bie që grupi parlamentar i PD të ketë mbi 70 deputetë në sallën e Kuvendit që nuk i ka. Ndiqet parimi që shumica ka të drejtë të ruajë shumicvën në të gjitha komisionet. Grupi parlamentar i PS ka deputetë efektivë për të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve 60 deputetë. Nëse do ta përpjestonim me numrin e komisioneve të përhershme 8 i bie që ne të përmbushim një shumicë në komisione me 8 deputetë.
Në momentin që PD ka sjellë propozime që tejkalojnë numrin e deputetëve të saj duke shkelur parimin një deputet për një komision është e pamundur të ruhet shumica në të gjitha komisionet. Nëse do repartizonim dhe deputetë e LSI i bie që të jemi në komisione të barabartë. Ajo që ngriti Vasili është e drejtë. Për të mos vonuar, votojmë kryesitë e komisioneve që na bëjnë të mundur të mbledhim konferencën e kryetarëve që është e domosdoshme. Merrni kohën e nevojshme.
Më këtë konstatim nuk ra dakord kryetari i PD-së, Basha, dhe i ndërhyu Ballës nga vendi.
Balla: Do ju kërkoja miqësisht që emocionet ti lini jashtë kësaj salle.
Basha: Mos bëj dërr-dërr, mbyll ato procedura.
Balla: Për shkak të eksperiencës shumë të gjatë në këtë sallë, shumë më të gjatë se ata që shkelin rregulloren dhe etikën.
Basha: Mos na trego eksperiencën.
Kreu i grupit parlamentar të PS propozoi votimin vetëm të kryesimit të komisioneve që u miratua me shumicë votash.
Balla: Do kërkoja që repartizimi i deputetëve në komisione të mos votohet sot por të shtyhet për seancën pasardhëse.
Rrushaj: Propozimi jonë është bërë në përputhje me rregulloren ku deputetë të caktuar mund të jenë anëtarë të jo më shumë se dy komisioneve të përhershme, komisioni i Integrimit nuk llogaritet si i tillë. Të ndërpritet seanca në mënyrë që deputetë e LSI të bëjnë propozimet e tyre dhe të miratohen sot.
Balla: Propozimi im është konkret. Sot është e domosdoshme zgjedhja e Byrosë dhe caktimi i Kryesisë së komisioneve.
Por forca e kartonit të mazhorancës shtoi tensionet te opozita. Basha nuk kurseu tonet e forta me kryetaren e Kuvendit.
Basha: E ke nisur seancën duke shkellur rregulloren. Ke miratuar rendin e ditës dhe merr urdhër si ushtare nga dikush që nuk duhet të ishte në këtë sallë. Turp të të vijë!
Nikolla: Unë jam deputete.
Basha: Je një manekine, merr urdhra. Me çfarë pushteti ndryshon rendin e ditës? Çfarë është kjo?
Nikolla: Pushtetin e votës.
Basha: Me pushtetin e PS. Turp të të vijë. Kështu është kur verndos një njeri si ty aty.
Pas këtij debati Basha u largua bashkë me deputetët e PD. Bojkotit ju bind edhe ish-kryeministri Berisha pas një konsulte me Flamur Nokën, ndërsa LSI qëndroi në sallë deri në mbyllje të seancës.