Nëntë vende evropiane ranë dakord të punojnë së bashku për të trajtuar krizën mjedisore globale në Samitin e Athinës
Nëntë vende evropiane që kufizohen me Mesdheun u takuan në Athinë nën Samitin EUMed9 të premten, ku ranë dakord rreth veprimeve globale kundër ndryshimeve klimatike dhe për të ruajtur mjedisin natyror të Mesdheut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke iu referuar zjarreve të fundit që goditën disa vende të Mesdheut Jugor, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se “zjarret katastrofike të kësaj vere nuk lanë asnjë vend mesdhetar të padëmtuar, ndërsa vendet veriore u goditën nga përmbytjet vdekjeprurëse”.
Ai shtoi se Greqia dhe aleatët e saj po punojnë në ndërtimin e një mekanizmi më të fortë të mbrojtjes civile, si dhe mbrojtjen e pyjeve dhe deteve.
Në një deklaratë të lëshuar në fund të takimit, udhëheqësit e nëntë vendeve u angazhuan për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për të punuar drejt uljes së temperaturës globale me 1,5 gradë Celsius.
Udhëheqësit diskutuan gjithashtu krizën e fundit në Afganistan dhe çështjet e migrimit. Kryeministri grek tha se “ne nuk do të lejojmë përsëritjen e fenomenit të flukseve të pakontrolluara të migrimit që përjetuam në 2015”.
Pjesëmarrësit gjithashtu miratuan një deklaratë të përbashkët për çështje me rëndësi politike dhe humanitare; duke iu referuar paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Mesdhe si prioriteteve strategjike për BE-në.
Ata gjithashtu diskutuan situatën në Siri, Liban, Libi dhe Afganistan, dhe përpjekjet e përbashkëta për të trajtuar pandeminë COVID-19, mes çështjeve të tjera.
Samiti, i cili u zhvillua në Qendrën Kulturore të Fondacionit Stavros Niarchos mblodhi së bashku udhëheqësit e Spanjës, Francës, Italisë, Maltës, Greqisë dhe Qipros Greke, Sllovenisë dhe Kroacisë. Portugalia kishte dërguar ministrin e saj të jashtëm, ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjithashtu mori pjesë në takim.