Britania e Madhe sot u përball me radhë kilometrike për karburant dhe këtë situatë Rusia e cilësoi komike. DailyMail shkruan se mediat ruse, pro-qeveritare bënin humor me këtë situatë, duke i krahasuar me radhët famëkeqe për salçiçe në ish-Bashkimin Sovjetik.
Rrjeti NTV në pronësi të gjigandit energjitik Gazprom shkruante se Britania është “në panik të vërtetë .. e mbërthyer nga kriza e karburanteve” si dhe se vuan nga mungesat e ushqimeve. Kriza aktuale në Britani raportohet se është krijuar nga mungesat e shoferëve të furnizimit, për çka qeveria ka lëshuar 10 000 viza emergjente për punësimin e të huajve nga kontinenti.
“Pas krizës së ushqimit Britania është në krizën e karburanteve. Pikat e pakta të furnizimit që kanë ende karburant, janë të rrethuara nga makinat, teksa shoferët po luftojnë me jetën e tyre për çdo litër nafte”, thuhej më tej në raportim, duke iu referuar pamjeve të shumta të publikuara sot të shoferëve britanikë që përlesheshin me njëri-tjetrin gjatë pritjeve stresuese për karburant.
Është një panik i vërtetë. Britania ka një mungesë të theksuar shoferësh kamioni për shpërndarje në pikat e karburanteve. Duket se ata nuk ngrohen apo ushqehen dot, as brenda makinave”, tha prezantuesja e NTV, Lilia Gildeeva, para se të kalonte linjën te korrespondentja në Britani.
Korrespondentja në Britani, Liza Gerson u tha më tej shikuesve të 11 zonave kohore të Rusisë: “Kështu si e kanë nisur, për një javë do të ketë kriza urie, kompanitë e naftës do të falimentojnë dhe njerëzit do të ngrijnë në dimër”.