Partia Demokratike reagoi sot pas deklaratave të aktivistes Evi Kokalari në “Foltoren” e ish-kryeministrit Sali Berisha në Durrës.
PD theksoi në reagim se, “një spekulante politike, Evi Kokalari, guxoi sot të përsëriste përpara shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha”.
“Autoritetet përgjegjëse me kërkesë të vetë Partisë Demokratike hetuan për 2 vite lidhur me shpifjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke provuar në mënyrë ligjore dhe përfundimtare se ato ishin vetëm shpifje”, u shpreh PD.
“Ricikimi i të njëjtave shpifje, bëhet për të njëjtin qëllim, atë të mbajtjes në këmbë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të padisë nesër penalisht për shpifje Evi Kokalarin, e cila mund të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzat e rreme me dëshmitarët e saj të rremë Edi Ramën dhe Taulant Ballën”, thuhet në deklaratën e PD.
Aktivistja, Evi Kokalari u shpreh sot se, “Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike pasi është këmbyer me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lulzim Bashës, një dosje që ekziston në Shqipëri dhe në Amerikë”. Sipas saj, Bashës iu hoq e drejta e vizës për 2-3 vjet.