Sponsori kryesor i boksierit kosovar, Haxhi Krasniqi, ka thënë se do t’i japë një milion euro për procesin gjyqësor në kërkim të drejtësisë për meçin të cilin ai e humbi nga Dominic Boesel në fundjavën e shkuar.
Krasniqi humbi përballjen me Boeselin 2:1 me vlerësim të gjyqtarëve, luftë kjo e vlefshme për titullin e botës në versionin IBO në kategorinë gjysmë të rëndë dhe eliminator për titullin WBA. Menjëherë pati reagime të ashpra nga Krasniqi dhe ekipi i tij që e cilësuan vendimin si të padrejtë.
Madje boksieri kosovar ka thënë se ka bërë ankesa zyrtare në federata ndërkombëtare.
Sponsori kryesor i Krasniqit në një komunikatë për media është zotuar për shumën një milion euro në dispozicion për të çuar përpara pretendimet e Krasniqit në çështjen gjyqësore.
“Jam thellësisht i prekur nga rezultati i meçit të së shtunës. Nuk mund të kuptoj se si një vendim i tillë i gabuar mund të bëhet në boksin profesionist më 2021. Isha i shokuar kur dëgjova për rezultatin në ring (para njoftimit publik) nga organizatori i mbrëmjes dhe menjëherë i thash se s’do ta tolerojmë këtë. Një vendim i tillë i padrejtë dhe josportiv s’mund të mbështetet, andaj do të bëjmë gjithçka ta përmirësojmë”, ka thënë sponsori i Krasniqit, Burim Hazrolli.
Edhe një nga avokatët e Krasniqit, Rene-Dirk Hundertmark, beson se Krasniqit i është bërë padrejtësi e madhe.