Partia Demokratike kërkon ndryshimin e hartës territoriale dhe rikthimin e konceptit të komunës dhe bashkisë.
Në amendamentet e PD kërkohet që të përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.”
PD propozon si do të bëhet dhe vetingu i politikanëve. Subjekt të këtij kontrolli janë: Funksionarët publikë që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit.
Pranë SPAK ngrihet Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërore, që përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK, të zgjedhur me short çdo 3 vjet.
Kontrolli i integritetit do të jetë i përkohshëm dhe i përhershëm.
Gjykata Kushtetutese vendos përfundimisht që mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose kanë pasuri të pajustifikuar ligjërisht.
Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese urdhëron ndalimin për tu zgjedhur apo emëruar në një funksion publik për një periudhë 15 vjet.