Shefi i Shtëpisë së Bardhë, ndonëse i ofroi mbështetje ishullit, ka specifikuar se SHBA-ja nuk po e synon një luftë të ftohtë të re, por ka shprehur shqetësim rreth asaj nëse Kina “do të angazhohet në aktivitete që do ta vënin në pozitë për të bërë një gabim serioz”. “Dua që Kina ta kuptojë se ne nuk do të zmbrapsemi, nuk do ta ndryshojmë asnjë qëndrim tonin”, ka theksuar Biden
Kina ka bërë të ditur të premten se “nuk ka hapësirë” për kompromise apo koncesione rreth çështjes së Tajvanit, pas komenteve të presidentit Joe Biden se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara në mbrojtjen e ishullit po qe se sulmohet.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, ka përsëritur qëndrimin e kahershëm të shtetit se ishulli është territor i tij. Këtë ai e ka thënë gjatë konferencës ditore për media, pasi Bideni i bëri komentet një ditë para një forumi të organizuar nga CNN. Kina ka ashpërsuar vazhdimisht kërcënimet për ta vënë Tajvanin nën kontroll të saj, po qe se është nevoja edhe me forcën e aeroplanëve luftarakë afër ishullit.
“Kur vjen puna te çështja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës, si dhe interesave të saja themelore, nuk ka hapësirë për kompromise apo për të bërë koncesione. Për më tepër, askush nuk duhet ta nënvlerësojë vendosmërinë e fuqishme, vullnetin e palëkundshëm dhe aftësinë e madhe të popullit kinez për t’i mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, ka thënë Wang. “Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës. Tajvani është çështje e brendshme e Kinës që nuk e lejon ndonjë ndërhyrje të jashtme”.
Komentet e Bidenit janë cilësuar si tendosje e “ambiguitetit strategjik” që Washingtoni ka pasur për kohë të gjatë për sa i përket përgjigjes ndaj ndonjë sulmi të mundshëm në republikën e vetëqeverisur ishullore.
Bideni ka specifikuar se SHBA-ja nuk po e synon një Luftë të Ftohtë të re, por ka shprehur shqetësim rreth asaj nëse Kina “do të angazhohet në aktivitete që do ta vënin në pozitë për të bërë një gabim serioz”.
“Dua që Kina ta kuptojë se ne nuk do të zmbrapsemi, nuk do ta ndryshojmë asnjë qëndrim tonin”, ka theksuar Biden. I pyetur nëse SHBA-ja do t’i dilte në mbrojtje Tajvanit po qe se sulmohej, ai është përgjigjur: “Po, e kemi përkushtimin për ta bërë këtë”.
Në Taipei, një zëdhënës i presidentes Tsai Ing-wen ka thënë se SHBA-ja ka demonstruar mbështetjen e saj për Tajvanin nëpërmjet veprimeve konkrete dhe ka shtuar se 23 milionë qytetarët e ishullit nuk do të dorëzohen përballë presionit.