Portretet e Orhan Gazit, Bajazidit I, Isa Çelebiut, Mehmedit I, Selimit I dhe Selimit II do të jenë në shitje në shtëpinë britanike të ankandeve më 28 tetor dhe pritet të arrijnë një total prej 800.000 deri në 1,2 milion funtash
Shtëpia e ankandeve “Christie’s” do t’u ofrojë koleksionistëve mundësinë për të blerë portrete të rralla të gjashtë sulltanëve osmanë në fund të tetorit.
Portretet e Orhan Gazit, Bajazidit I, Isa Çelebiut, Mehmedit I, Selimit I dhe Selimit II do të jenë në shitje në shtëpinë britanike të ankandeve më 28 tetor dhe pritet të arrijnë një total prej 800.000 deri në 1,2 milion funtash.
Portretet janë duplikatë e një seti origjinal, të prodhuara në Venedik në vitin 1579 me nxitjen e Vezirit të Madh osman Sokullu Mehmed Pasha.
Behnaz Atighi Moghaddam, një eksperte nga Christie’s, tha për AA se portretet ishin pjesë e 14 pikturave të shekullit të 16-të.
Ankandi i Artit të Botës Islame dhe Indiane do të shfaqë gjithashtu një mesazh dërguar Mbretit Lui të Francës nga Mehmeti IV, qilima turke, mbulesa të Qabes, pllaka të Iznikut, dorëshkrime dhe enë të zbukuruara.
Moghaddam tha se pikturat “i atribuohen stilistikisht Veroneses”, një prej artistëve më të famshëm venecianë që prodhoi vepra në shekullin e 16-të.
Louise Broadhurst, shefe e Departamentit të Qilimave Orientale në Christie’s, tha se ankandi do të prezantojë tri qilima turke nga fundi i shekullit të 16-të dhe 17-të.
Broadhurst tha për AA se qilimat kanë një dizajn Lotto, dizajn i përdorur fillimisht nga piktori italian i shekullit të 16-të Lorenzo Lotto, dhe tregojnë për “shkëmbimin ndërkulturor të artit që udhëtoi nga Turqia për në Perëndim në rrugët tregtare”.
Ajo shtoi se qilimat ishin shumë të njohura në shekullin e 16-të dhe përdoreshin si zbukurim në pallatet e pasura italiane.