Janë bërë publike kërkesat që Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese për komisionin hetimor për cështjen “Becchetti”. PD ka 2 kërkesa për Gjykatën Kushtetuese; Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e ngritjes së Komisionit Hetimor Becchetti.
PD kërkon të hetojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë që çuan në një dëm prej 120 milionë euro. Kërkesa për ngritjen e këtij komisioni u rrëzua nga shumica socialiste, por PD është e vendosur dhe për këtë arsye ka dërguar çështjen për zgjidhjen e kompetencës në Kushtetuese.
“E drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor nuk mund të mohohet apo të kufizohet nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare. Ajo është një e drejtë kushtetuese që çon detyrimisht në ngritjen e komisionit. Duke mos e realizuar këtë detyrim kushtetues, Kuvendi në mënyrë arrogante dhe pa argumente, pengoi pakicën parlamentare në ushtrimin e një kompetence kushtetuese.
Duke ia nënshtruar votimit parlamentar ngritjen ose jo të Komisionit, si dhe duke vendosur mosmiratimin e kërkesës së 1/4 së deputetëve, praktikisht Kuvendi ka mohuar kompetencën kushtetuese të pakicës parlamentare, duke krijuar këtë mosmarrëveshje kompetence, e cila duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese, duke shfuqizuar si antikushtetues edhe vendimin nr. 80/2021 të Kuvendit” shprehet PD.