Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, ka thënë se deri ditën para nisjes në Beograd ka qenë gjithçka në rregull, por në kufi nisen telashet. Ai pret që moslejimi i boksierëve tanë për të garuar brenda territorit serb, t’i kushtojë Serbisë me 10 vite pezullim ose më shumë, ashtu siç i ndodhi Indisë në rastin e Donjeta Sadikut.
Demolli në një konferencë për shtyp bëri të ditur se do të kërkojë pikë në instancat e larta për tre boksierët që të jenë pjesë e Lojërave Olimpike “Parisi 2024”.
“Kemi qëndruar 12 ditë të izoluar. E kemi paraqitur ekipin një muaj më herët në AIBA dhe Federatën e Serbisë dhe deri në ditën e fundit gjithçka në rregull. Ditën e parë kur jemi nisur, jemi ndaluar nga policia serbe dhe na kanë thënë se me logon e Kosovës nuk mund të hyni në territorin serb. Unë i kam thënë se ne jemi të barabartë me të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Jemi kthyer. Më pas na është thënë nga Komiteti Olimpik Kombëtar që të nisemi dhe prapë ndodhi e njëjta. Na kërkuan që të shkonim pa simbole. Shkuam herën e tretë, pa simbole, policia serbe u sjell shumë mirë, na kontrolluan dhe na tha që të prisnim. Shefi i policisë u kthye pas një ore dhe na tha që kemi urdhër nga lartë që të mos lejohet përfaqësimi i Kosovës brenda Serbisë. Edhe AIBA ka luajtur me dy karta, pasi ditën e parë na thanë që të shkonim e më pas na thanë që t’i largonim simbolet. Tani, këta boksierë do të duhet shumë që ta kthejnë formën. Do të kërkoj për këta boksierë që të kenë pikë për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, pasi ky është synimi jonë dhe në këto gara merren pikët për të qenë në Olimpiadë. Pres që Serbia të dënohet me 10 vite pezullim apo më shumë, ashtu siç i ndodhi Indisë me Donjeta Sadikun”, ka thënë Demolli.
Sekretari i Federatës së Boksit tutje shtoi se medalja origjinale e kësaj gare është pa hartën e Kosovës në Serbi, dhe jo ashtu siç u raportua që në medalje shfaqet harta e Jugosllavisë.
Boksierët kosovarë kishin për të marrë pjesë në Botërorin e boksit në Beograd që mbahet nga 24 tetori deri më 6 nëntor, por pavarësisht tri tentimeve, nuk u lejuan të hynë në territorin serb.