Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD, Çlirim Gjata në një lidhje direkte me Skype në Syri Tv, u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha mund të fitojë gjyqin në Gjykatën e Parisit.
Pranimi i padisë tha Gjata, bën që kjo Gjykatë t’i kërkojë prova Sekretarit Amerikan të Shtetit për akuzat në adresë të Berishës.
Në rast se pala tjetër nuk paraqet asnjë fakt, tha Gjata, atëherë gjykata pranon padinë e Berishës dhe për rrjedhojë lideri historik i PD fiton gjyqin.
“Nëse Blinken nuk paraqitet, atëherë konsiderohet që ai s’ka asnjë provë dhe pranohet padia e Berishës. Do të ishte shumë e dëmshme nga pikëpamja politike kjo për Blinken, për emrin që gëzon ky institucion i madh me fuqi të madhe botërore, që të humbte një gjyq për shpifje në Gjykatën e Parisit apo kudo qoftë. Do të ishte një humbje e turpshme”, u shpreh Gjata.
Pjesë nga intervista
Pyetja:Pranimi i padisë së Berishës ndaj Blinken ka marrë jehonën në mediat ndërkombëtare. Matt Palumbo ka cituar deklaratëne Berishës. Ndërsa Uashington ka hedhur dyshime për lidhjen e Blinken me Soros. DASH nuk ka asnjë përgjigje. Si mund të shihet kjo?
Çlirim Gjata: Lidhur me padinë e Berishës kundër Blinken, është plotësisht në të drejtën e tij. Bersha nuk ngriti padi kundër vendimit administrativ, por kundër motivacionit se e konsideron shpifje. Dhe kjo i ka gjetur të papërgatitur ata zotëritë. Gjykata franceze e ka marrë në shqyrtim dhe kur të caktojë seancën, Blinken ka për detyrë të çojë provat atje sepse zoti Berisha qenka i korruptuar apo ka ndihmuar ai me familjen e tij ka ndihmuar në mënyrë të paligjshme aleatët e vet dhe ka minuar demokracinë. Sepse padia për shpifje këtë ka, nuk është barra e provës te paditësi, por te i padituri. Prandaj duhet të sjellë prova. E dyta, ka një moment që nuk e ka trajtuar njeri deri sot, do të ishte mirë që një avokat i Uashingtonit që merret me punët juridike, ta trajtonte sepse masa të tilla siç janë ‘non grata’, duhet të ketë një vendim të formës së prerë penal ose administrativ, ose një proces të hapur. Zoti Berisha nuk ka asnjë nga këto. Është pretenduar edhe nga vetë figurat amerikane që ai nuk ka as proces të hapur, por as masë penaliteti. Dhe kjo masë bie në kundërshtim me ligjin. Por Berisha nuk i ka hyrë as kësaj, por ka trajtuar vetëm motivacionin në atë të drejtën e tij, që është një e drejtë universale njerëzore, mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit të tij.
Pyetja: Çfarë ndodh nëse Blinken nuk i paraqet këto prova?
Çlirim Gjata: Blinken ka barrën e provës. Thelbi është që padia e shpifjes këtë ka, i padituri duhet të paraqesë provat, dhe Berisha të mbrohet nëse qëndrojnë apo jo. Nëse Blinken nuk paraqitet, atëherë konsiderohet që ai s’ka asnjë provë dhe pranohet padia e Berishës. Do të ishte shumë e dëmshme nga pikëpamja politike kjo për Blinken, për emrin që gëzon ky institucion i madh me fuqi të madhe botërore, që të humbte një gjyq për shpifje në Gjykatën e Parisit apo kudo qoftë. Do të ishte një humbje e turpshme. Besoj se nga kjo ka ardhur edhe presioni që erdhi për largimin e Berishës nga grupi parlamentar. Ata më duket se e kanë marrë shumë thjeshtë dhe ka qenë një vendim i shpejtuar e i papjekur që tregon se nuk e njohin terrenin shqiptar, psikologjinë shqiptare dhe ballkanase. Dhe mendoj se kur çështja shkoi në gjykatë dhe ata nuk kanë prova, menduan t’i japin një zgjidhje politike ta përjashtojnë nëpërmjet presionit nga grupi parlamentar.