Javën e ardhshme lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të dorëzojë në selinë e Partisë Demokratike kërkesën për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në 11 dhjetor, duke zgjedhur datëlindjën e Partisë Demokratike si momentin kulmor të përplasjes së tij me kreun aktual të PD-së, Lulzim Basha. Berisha ka shfrytëzuar nenin 43 të statutit, i cili i jep të drejtë ¼ së delegatëve të Kuvendit për të mbledhur forumin më të lartë të partisë.
Nga Lezha e “Besëlidhjes”, Sali Berisha njoftoi se do të thërrasë në 11 dhjetor Kuvendin Kombëtar të PD për ndryshime statutore dhe që do të iniciojë procedurën për shkarkimin e Lulzim Bashës së kryetar partie.
Pas këtij vendimi të bërë publik, pritet që javën e ardhshme ish-kryetari demorkat të dorëzojë në selinë e Partisë Demokratike kërkesën për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.
11 dhjetori, dita e themelimit të Partisë Demokratike, është zgjedhur si simbolikë për një përplasje të fortë me kryetarin aktual të selisë blu, Lulzim Bashën.
Sali Berisha pretendon se po ecën në bazë të statutit në rrugën e tij për të çliruar, siç thotë ai, Partinë Demokratike, nga kapja.
E për këtë ka shfrytëzuar nenin 43 të statutit, i cili i jep të drejtë ¼ së delegatëve të Kuvendit për të mbledhur forumin më të lartë të partisë.
Për të hequr çdo dyshim për legjitimitetin e mbledhjes, Berisha ka mbledhur më shumë firma se kaq, dhe burime pranë lëvizjes së tij bëjnë me dije se deri tani kanë firmosur meë shumë se gjysma e anëtarëve të Kuvendit.
Në bazë të statutit, mbledhja e Kuvendit duhet të lajmërohet nga Lulzim Basha, por nëqoftëse kjo nuk do të ndodhë, burime pranë ish-liderit Berisha theksojnë se Kuvendi do të vëtëmblidhet.
Axhenda e Kuvendit Kombëtar tashmë thuajse është publike edhe për faktin se në kërkesën e firmosur nga aleatët renditeshin pikat.
Tre janë çështjet kryesore:
-Së pari, ndryshimi i statutit dhe analiza e qëndrimeve të kryetarit Basha
-Së dyti, thirrja e një referendumi me të gjithë anëtarët e PD-së për të konfirmuar vendimet e Kuvendit
-Së treti, përcaktimi i aksionit të PD-së
Lulzim Basha ka deklrauar se nuk do të lejojë një Kuvend Kombëtar antiamerikan, duke mos saktësuar aksionin sesi do ta arrijë këtë.
Të vetmet argumenta janë ato jozyrtare, ku mbështetës të tij theksojnë se në çdo rast do të jetë Kryesia ose Këshilli Kombëtar që vlerëson kërkesën për tu mbledhur Kuvendi ose jo.
Deri në 11 dhjetor do mbetet për tu parë se çfare do të ndodhë me partinë më të madhe opozitare.
Ajo çfarë tashmë është evidentuar është fakti se kjo focë po përjeton ndoshta një ndër krizat më të mëdha që nga themelimi i saj.