Presidenti Ilir Meta vlerësoi me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Eparkun e Horës së Arbëreshëvet (Piana Degli Albanesi), Imzot Giorgio Demetro Gallaro.
Kreu i Shtetit i akordoi këtë vlerësim me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar dhe të pakursyer në mbështetje të bashkësisë arbëreshe në Siçili. Për përpjekjet e tij të pareshtura në ruajtjen dhe përcjelljen e riteve dhe të traditave kishtare në gjuhën arbëreshe”.
Pasi vizitoi selinë e Kryepeshkopit të Kishës Bizantine Italo-Shqiptare në Siçili, në Eparkinë e Horës së Arbëreshëve, që u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup arbërish nga Himara, Presidenti iu drejtua të pranishmëve të mbledhur në Kishën e Shën Dhimitrit.
“Jam i lumtur të ndodhem këtu mes jush, në Eparkinë e Horës së Arbëreshëve, në kishën e Shën Dhimitrit dhe të takohem me komunitetin tuaj të mrekullueshëm. Një komunitet me vlera të rralla historike, më i madhi i pesë komuniteteve në krahinën e Palermos”, tha Meta.
“Prej shekujsh, komuniteti i Hora e Arbëreshëvet, bashkë me fshatrat e tjerë arbëreshë në Siçili e në Italinë e Jugut, kanë shërbyer si mbartësit e një trashëgimie shumë të rëndësishme për kombin tonë, duke ruajtur me krenari, dashuri dhe fanatizëm gjuhën, kostumet, ritet, traditat dhe besimin, të sjella nga mëmëdheu i tyre, Arbëria”, u shpreh Meta.
Meta tha se, “kjo vizitë përbën një kënaqësi të shumëfishtë për mua, pasi është hera e parë që një President i Republikës së Shqipërisë, bën një vizitë zyrtare në komunitetin arbëresh të Siçilisë”.
Por, shtoi Meta, “mbi të gjitha, dua t’ju shpreh se ndihem gjithmonë krenar dhe i lumtur kur takohem me arbëreshët, komunitetin e larguar nga atdheu pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Atë komunitet që mbajti gjallë identitetin kombëtar, për më shumë se 550 vitesh”.
“Urat historike dhe kulturore midis arbëreshëve dhe tokës mëmë nuk u rrënuan kurrë, as në momentet më të vështira të historisë sonë. Dhe fjalë si arbër, arbëresh, Arbëri janë ruajtur dhe rrojnë sot prej arbëreshëve”, theksoi Meta.
“Në rastin e 500-vjetorit të themelimit të Horës së Arbëreshëve, poeti ynë i shquar Dritëro Agollit, në fjalën e tij tha: ‘Arbëreshët janë bijtë tanë pasi nëna e tyre është Shqipëria. Për sa u përket zakoneve, riteve, trashëgimisë kulturore e materiale dhe gjuhës, janë edhe pararendësit tanë, sepse na japin mundësinë të njohim mënyrën e jetesës së shqiptarëve në Shqipërinë e shekullit të 15-të”, u shpreh Meta.
Ne, theksoi Meta, “u jemi shumë mirënjohës arbëreshëve edhe për faktin se ruajtën me shumë dashuri figurën e Skënderbeut, dhe po me aq dashuri e kthyen atë sërish gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare duke e bërë atë figurën e bashkimit të gjithë kombit tonë. U jemi mirënjohës për figura të shquara të letërsisë sonë si Jeronim De Rada, Gavril Dara dhe Zef Serembe, e shumë figura të tjera të ndritura”.
“Që prej gjysmës së parë të shekullit të 19-të, projekti i parë i Rilindjes Shqiptare, i cili ishte një projekt thellësisht evropian, u formulua nga figurat e komunitetit arbëresh. I jemi mirënjohës edhe Kishës Italo-Arbëreshe, e cila është dalluar në historinë e saj të gjatë dhe martire në udhëheqjen shpirtërore dhe njerëzore të komunitetit arbëresh përgjatë gjashtë shekujve”, tha Meta.
“Komuniteti arbëresh mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës, që Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij folën gjashtë shekuj më parë. Ky është një thesar i madh për kombin tonë, për Italinë dhe për trashëgiminë europiane dhe botërore. Ndaj edhe ruajtja e traditave, dhe veçanërisht ruajta e gjuhës arbëreshe del sot si një detyrë parësore që kërkon kontributin e të gjithëve”, tha Meta.
“Komuniteti arbëresh, kjo pasuri e çmuar që lidh edhe më fort dy popujt tanë, meriton më shumë përkushtim dhe kontribut nga të dy anët e Adriatikut, për të arritur regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe në UNESCO. Duhet të kemi një vëmendje më të madhe ndaj komunitetit arbëresh të Italisë, për të lidhur më ngushtë brezat e rinj të një gjaku, të frenojmë fenomenin e humbjes së gjuhës së folur arbëreshe, veçanërisht në brezat e rinj”, tha Meta.
Gjithashtu, shtoi Meta, “arbëreshët janë një shembull i gjallë i marrëdhënies së shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Italisë, midis dy popujve tanë, të cilët kanë një urë lidhëse kaq të çmuar, si komuniteti arbëresh, që na bën krenarë dhe e forcon edhe më shumë lidhjen tonë shekullore”./ATSH/







