Veprimet ligjore u ndërmorën në emër të rreth 4.4 milionë qytetarëve në Angli, Uells, të cilëve tani u është mohuar kompensimi deri në 1.000 dollarë për person
Gjykata e Lartë e Britanisë së Madhe vendosi njëzëri të mërkurën për të mbështetur ankesën e “Google”-s kundër një veprimi masiv ligjor që kishte mbledhur gabimisht miliona të dhëna të përdoruesve të iPhone.
Veprimi ligjor u ndërmor në emër të rreth 4.4 milionë qytetarëve në Angli dhe Uells, të cilëve tani u është mohuar kompensimi deri në 750 funta (1.000 dollarë) për person, shuma e të cilës arrin në 3 miliardë funta në total.
Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit të vitit 2019. Po të mos ishte rrëzuar vendimi, rasti mund të kishte hapur derën për veprime të tjera masive ligjore në Britani lidhur me rastet e tjera të privatësisë së të dhënave.
“Google” u akuzua për keqpërdorim të paligjshëm të të dhënave të miliona përdoruesve të iPhone duke gjurmuar në mënyrë të fshehtë aktivitetin e tyre të shfletimit të internetit përmes cookie-ve të ndjekjes së reklamave dhe teknologjive të tjera të ruajtjes së të dhënave dhe duke përdorur të dhënat për të shitur një shërbim reklamimi të caktuar midis qershorit 2011 dhe shkurtit 2012.
Richard Lloyd, një avokat i të drejtave të konsumatorëve dhe ish-drejtor i grupit të konsumatorëve ”Which?”, ishte ai që ngriti çështjen në vitin 2017.
Gjykata e Lartë tha se pretendimi i tij nuk mund të kishte sukses sepse Lloyd nuk mund të provonte se të gjithë individët që ai përfaqësonte “pësuan ndonjë dëm material ose shqetësim” dhe kështu nuk mund të kishin pësuar të gjithë të njëjtin dëm.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Lord Legatt tha: “Përpjekja për të kthimit të kompensimin pa provuar ndonjë fakt veçanërisht për çdo përdorues individual të iPhone dhe në veçanti pa pretenduar ose provuar sjelljen e pretenduar të paligjshme të ‘Google’-s, shkaktimi i ndonjë dëmi financiar ose shqetësimi mendor për ndonjë individ të tillë është i paqëndrueshëm”.
“Në këto rrethana, pretendimi nuk mund të ketë sukses dhe leja për të kryer procedurat ndaj ‘Google’-s jashtë juridiksionit u refuzua me të drejtë nga gjyqtari”.
“Ajo që pretendimit i jep pamjen substanciale është pretendimi se ‘Google’ gjurmoi fshehurazi aktivitetet e internetit të miliona përdoruesve të iPhon-ëve të Apple-s për disa muaj dhe përdori të dhënat e marra për qëllime komerciale”, tha ai.
“Por, në analizë paditësi kërkon të rikuperojë dëmet pa u përpjekur të provojë se ky pretendim është i vërtetë në rastin e çdo individi për të cilin pretendohet dëmshpërblimi”, theksoi Legatt.
Lloyd tha se ishte “thellësisht i zhgënjyer” me vendimin e Gjykatës së Lartë.
“Ata rrëzuan një vendim shumë të qartë të gjyqtarëve të lartë, ekspertë në Gjykatën e Apelit”, tha ai.
“Megjithëse Gjykata pranoi edhe një herë se veprimi ynë është e vetmja mënyrë praktike që miliona britanikë mund të kenë akses në dëmshpërblim të drejtë, ata mbyllën derën për këtë çështje duke vendosur që të gjithë të prekurit duhet të shkojnë në gjykatë individualisht”, tha Lloyd.
Ai tha se “Nëse ka ndonjë pasojë për abuzimet e të dhënave tona personale, atëherë duhet të ketë ndonjë nxitje për kompanitë si ‘Google’ për të mbrojtur konsumatorët”.
“Qeveria tani duhet të ndërhyjë që ta bëjë sistemin më të qartë dhe më të fortë duke sjellë të drejtën për grupet e konsumatorëve që të ndërmarrin veprime së bashku sipas Aktit të Mbrojtjes së të Dhënave. Përgjegjësia për mbrojtjen e privatësisë, të drejtat tona të të dhënave dhe veprimet kolektive është plotësisht në përgjegjësi të qeverisë”, potencoi Lloyd.
Avokati i Lloyd’s, James Oldnall tha se: “Vendimi i sotëm i jep ‘Google’-s dhe pjesës tjetër të gjigantëve të teknologjisë ‘dritën e gjelbër’ për të vazhduar keqpërdorimin e të dhënave tona pa pëlqim, duke e ditur se ato do të mbeten të pandëshkuara. Kjo është një ditë e zezë kur lakmia e korporatave vlerësohet mbi të drejtën tonë për privatësi”.
Zëdhënës i “Google”-s tha: “Ky pretendim lidhet me ngjarjet që ndodhën një dekadë më parë dhe që ne i trajtuam në atë kohë”.
Ata shtuan: “Njerëzit duan të dinë se janë të sigurt në internet. Kjo është arsyeja pse për vite me radhë ne jemi fokusuar në ndërtimin e produkteve dhe infrastrukturës që respektojnë dhe mbrojnë privatësinë e njerëzve”.
Për shkak të shkeljes, “Google” i pagoi një shumë rekorde prej 22.5 milionë dollarësh Komisionit Federal të Tregtisë së SHBA-së në vitin 2012. Kompania gjithashtu u pagoi 17 milionë dollarë të tjera disa shteteve të SHBA-së në të cilat kishte mbledhur të dhëna për reklama, pavarësisht se u tha përdoruesve se nuk do të paguaj, por marrëveshja e fundit ishte formuluar në atë mënyrë që do të thoshte se nuk pranonte asnjë përgjegjësi.